Politika kosovare e “pushtuar” nga koronavirusi, kush u infektua deri më tani me virus?

COVID-19 që u shfaq në Kosovë prej muajit mars të këtij viti, nuk la anash as politikanët.

Lajme

28/10/2020 13:52

Emra të shumtë të politikës kosovare u prekën nga virusi COVID-19.

Gjatë ditës së sotme, lideri  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri të ditur se është infektuar me koronavirus, e muaj më parë me po të njëjtin virus u infektua edhe kryeministri, Avdullah Hoti.

I infektuar me koronavirus ishte edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Të prekur me këtë virus ishin edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Fitim Uka, Memli Krasniqi, Haxhi Avdyli, Uran Ismaili, Abelard Tahiri e Arben Gashi, janë deputetët që hapur treguan se janë infektuar me koronavirus.

Shumë prej këtyre fytyrave publike trajtimin për COVID-19 e patën në shtëpi, por ndryshe ishte situate me të parin e Drenasit si dhe deputetin e LDK-së, Fetah Rudi.

Ramiz Lladrovci si dhe Fetah Rudi, u trajtuan në Klinikën Infektive në QKUK.

Deri më sot me COVID-19 në Kosovë janë infektuar 18 mijë e 345 persona. Si pasojë e këtij virusi humbën jetën 669 pacientë, ndërsa u shëruan 15 mijë e 198 qytetarë të tjerë.

Situata e COVID-19 ishte me e qetë javë më parë, por që gjatë ditëve të fundit pati një rritje të numrit të rasteve që u prekën nga ky virus./Lajmi.net/