Politika i përçan veteranët

Veteranët e Luftës po përçahen si pasojë e përfshirjes së tyre në aktivitete të partive politike.

Lajme

24/05/2014 10:21

Përveç kalimit të ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Muharrem Xhemajl,t në PDK, partia e kryeministrit Thaçi ka arritur që të nënshkruajë edhe një memorandum bashkëpunimi me këtë organizatë të veteranëve.

Kjo, me sa duket ka arritur t’i ndajë ish-veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sekretari i Organizatës së Vlerave të Luftës, Faton Klinaku nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, duke shpresuar se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet. Pas këtij memorandumi, reaguan veteranë të tjerë të zonave të UÇK-së, duke thënë se ky memorandum është jo valid.

Mirëpo, për Hashim Thaçin ky memorandum garanton bashkëpunim të përhershëm të PDK-së me OVL-në e UÇK-së.

Në anën tjetër, kryetari i OVL-UÇK-së për Dukagjin, Avdyl Mushkolaj ka thënë se shoqatat e luftës e kanë për mision t’i mbrojnë vlerat e luftës dhe t’iu shërbejnë veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Ai ka thënë se Faton Klinaku nuk përfaqëson qëndrimin e veteranëve të luftës së kësaj komune.