Të Infektuar: 4307

Të Shëruar: 2095

Të Vdekur: 94

Politika e Jashtme dhe denatyralizimi i Albin Kurtit

15:42 | 27 Maj 2020

Politika e Jashtme është shtrati i brendshëm në të cilin është rritur politikisht Albin Kurti.

Shkruan: Artan Behrami

Ngritja e tij nuk ndodhi mbi nevojën e brendshme për reforma, për modernizim, për zhvillim ekonomik dhe për emancipim shoqëror, por mbi iluzionet se do ta jetësojë projektin kombëtar, të cilin dështuan ta bënin Ismail Qemaili, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini.

Trashëgimia politike e Kurtit është krejtësisht kuqezi, e bazuar në bashkimin kombëtar, si një opium për lëngimet shekullore të popullit tonë dhe si një ilaç për të gjitha problemet e brendshme.

Politika e Jashtme e Kurtit dhe kauza e Vetëvendosjes në ditët e para të qeverisjes u shndërrua në dështim të brendshëm dhe në izolim ndërkombëtar!

Muri i digës së shpresës, të cilin e kishte ndërtuar Kurti për largpamësinë e tij në politikën e Jashtme, u përmbys nga pritjet e qytetarëve të Kosovës të akumuluara për 20 vjet.

As kritikët më të ashpër të tij nuk kishin besuar se dështimi më kardinal i Kurtit në 100 ditët e qeverisjes do të jetë pika më e fortë e tij!

Kurti, i cili tërë jetën politike në opozitë ka lëvizur nëpër teh të ekstremeve, sapo mori postin e kryeministrit, u denatyralizua, duke i aktruar ditët e para si kryeministër i butë në detyrë dhe duke qenë vetvetja si kryeministër arrogant i shkarkuar!

Por, në të dyja rolet, Kurti dështoi në politiken e Jashtme, në mungesë të përvojës, të vizionit në diplomaci dhe të aftësisë për të lexuar momentumet gjeopolitike.

Brenda një kohe të shkurtër, ai ktheu kokëposhtë parimet mbi të cilat ishte ndërtuar politika e Jashtme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Kurti dështoi të ndërtojë vizionin e tij mbi të arriturat 12-vjeçare në politikën e Jashtme, që ishin suksese edhe të partnerëve strategjikë të Kosovës, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vend të tyre, ai krijoi rregulla paralele, të padëgjuara në politikën e Jashtme të Kosovës, duke e përdorur diplomacinë jo si mekanizëm të përfaqësimit të interesave të qytetarëve në botë, por për shërimin e paranojave dhe luftimin e armiqve personalë.

Kurti u bë kryeministri i parë në Kosovën e pas pavarësisë që hoqi dorë nga procesi i shtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe në forcimin e pozitës së Kosovës në botë.

Gjatë këtyre ditëve ai promovoi vetëm frikën, urrejtjen dhe inatet personale që kishte me oponentët politikë!

Antiamerikanzimi, parim i politikës së Jashtme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin ‘goditja’ e parë e politikës së Jashtme të Kurtit, duke e konvertuar ideologjinë antiimperialiste në parimin kryesor të politikës së Jashtme të Kosovës.

Kështu, ai suksesshëm rrënoi traditën e një koordinimi të përminutshëm me SHBA-në, bashkë me të edhe fuqinë diplomatike që Kosova e kishte krijuar si një shtet me 1.8 milionë banorë.

Fuqia e politikës së Jashtme e shteteve të vogla shpeshherë varet nga fuqia ekonomike e tyre, nga ajo ushtarake ose nga përcaktimi i partnerëve strategjikë.

Me Amerikan mbrapa, Kosova dikur ishte fuqi dhe faktor diplomatik në rajon, duke e mposhtur Serbinë ndërkombëtarisht që nga viti 1999, me intervenimin e NATO-s, me shpalljen e koordinuar të pavarësisë, me procesin e njohjeve etj.

Ishte gjithmonë Serbia ajo që largohej nga forumet, nga konferencat ndërkombëtare dhe nga tavolinat e bisedimeve, ngase Kosova kishte një koordinim të plotë me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë evropianë.

Por, duke u konfrontuar me SHBA-në, aleatin historik të shqiptarëve, Kurti e riktheu dominimin diplomatik të Serbisë mbi Kosovën, duke shkaktuar një çorientim total në politikën e Jashtme të Kosovës.

Aftësinë për të përçarë skenën e brendshme, Kurti e eksportoi në arenën ndërkombëtare, për të ndarë edhe aleatët strategjikë të Kosovës, sidomos për temat e interesit nacional.

E gjithë kjo në një kohë kur Rusia po synon destabilizim në Mal të Zi dhe në një kohë kur Kina po bëhet sfidë më e madhe për Perëndimin në Ballkanin Perëndimor.

Zëvendësimi i armiqve

Sa ishte në opozitë, Serbia ishte armiku i jashtëm i Kurtit që ndihmoi ngritjen e brendshme të tij. Kur u bë kryeministër, Serbinë e zëvendësoi me armiq të brendshëm, shumica prej të cilëve janë ish-krerë të UÇK-së, të cilët po i godet çdo ditë përmes letrave klandestine dërguar qendrave të botës.

Duke pranuar ndihma humanitare në kohën e pandemisë, Kurti amnistoi krimet serbe në Kosovë, duke promovuar imazhin e një Serbie humanitare në botë.

Duke e shfrytëzuar këtë zemërgjerësi të Kurtit, Serbia, derisa e lexoni këtë OpEd, është duke shpërnda ndihma humanitare në Guatemalë, në Guine dhe në shtete të tjera, për t’i bindur ato që mos ta njohin pavarësinë e Kosovës ose për ta tërhequr njohjen e Kosovës.

Derisa kufirin me Serbinë e hapi një mijë pash, atë me Shqipërinë e bunkerizoi, duke u munduar ta bëjë të pathyeshëm edhe për zyrtarët shtetërorë.

Trambë mes flamurit kuqezi me lara-lara

Jehona e fjalimit të zjarrtë të Kurtit, i mbajtur në protestën e 28 nëntorit, më 2016, kur e ringriti flamurin kombëtar në zemër të Prishtinës, u shua sapo u ngjit shkalleve të ndërtesës së Qeverisë.

Ai hoqi dorë nga përkatësia shqiptare dhe, përmes një procesi të denatyralizimit, mori rolin e përfaqësimit të interesave të shtetit të Kosovës me flamurin, të cilin në protestën e 28 nëntorit e quante lara-lara!

Bashkimin kombëtar e ngriu për një kohë të papërcaktuar, për të ringjallur idenë e bashkimit të trojeve shqiptare përreth Lëvizjes Vetëvendosje.

Për Kurtin, bashkimi kombëtar është i mundshëm, me kusht që të gjithë të jenë të bashkuar rreth kultit të tij – të një gjeniu dhe shpëtimtari të kombit nga imperializmi amerikan dhe nga servilët e tyre brenda trojeve shqiptare.

Atë ditë që VV-ja sundon në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, atë ditë do të jetë i mundshëm bashkimi kombëtar!

Një ushqim perfekt për militantët me nga 51 ‘Fake Accounts’ nëpër rrjetet sociale, për të nisur cyber-revulucionin mbarëshqiptar!

Kurti, i natyralizuar, ishte zotuar për politikë të Jashtme unike me Shqipërinë, duke e ndihmuar dhe plotësuar njëra-tjetrën, e jo duke garuar me njëra-tjetrën.

Kurti, i denatyralizuar, e shkeli edhe këtë zotim, duke instaluar  një politikë të Jashtme izolacioniste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ai telefonoi presidentin e Bosnjës dhe Hercegovinës që nuk e njeh Kosovën, atë të Maqedonisë Veriore, ai telefonoi edhe udhëheqësit myslimanë të Sanxhakut, por nuk telefonoi kryeministrin e Shqipërisë, nuk telefonoi as udhëheqësin e shqiptarëve në Maqedoni ose atë të shqiptarëve në Mal të Zi.

Dialogu-antipodi i Albin Kurtit

Dialogun Albin Kurti e pranon vetëm si përshtatje e mendimit të tij. Gjithçka tjetër për të mbetet monolog-një proces ku ai nuk merr pjesë. Hyrja në dialog për të do të ishte hyrje në rishkrimin e identitet të VV-së, e cila në ADN-në e saj e përjashton dialogun si mjet politik.

Kurti ka një betejë për t’u bërë pjesë e historisë së Kosovës, në mungesë të një roli në lëvizjen pacifiste të Rugovës, në luftën çlirimtare të UÇK-së dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kurti u ngrit kundër të gjitha këtyre zhvillimeve historike, që nga angazhimi i tij në politikë, për të krijuar iluzionin e krijimit të Republikës së Tretë, si një rrugë transit për të jetësuar bashkimin kombëtar!

Kapitulli i fundit i shtetit të Kosovës është anëtarësimi në sistemin ndërkombëtar, përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe përmes njohjes së ndërsjellë si shtet i pavarur dhe sovran.

Ky është kapitulli i historisë në të cilin Kurti dëshiron vetëm një rol-atë të përmbysjes së kapitujve të mëparshëm të historisë shtetformuese të Kosovës.

Që nga viti 2011, kur Policia e Kosovës ndërhyri në veri dhe instaloi ligjin e Kosovës në një rajon që ishte territori më i paligjshëm në Evropë, për dallim, Kurti lejoi dhe pranoi zbatimin e ligjit të Serbisë në territorin e Kosovës përmes pranimit të shpalljes së situatës emergjente nga Vuçiqi.

Ai premtoi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, por reciprociteti është vetëm një iluzion i radhës dhe inekzistent në praktikë.

Në mbi 100 ditët e qeverisjes, Kurti nuk bëri asnjë përpjekje për njohjen e Kosovës, as nga Serbia dhe nga asnjë vend tjetër.

Kjo është arsyeja pse ai zgjodhi të mbështesë një dialog të udhëhequr nga BE-ja me neutralitet në thelb të procesit, në vend të një dialogu të udhëhequr nga SHBA-ja që synon njohjen e ndërsjellë.

Ai dëshiron një dialog ku nuk ka kundërshtim, as pjesëmarrës nga partitë politike, as nga shoqëria civile dhe as raportim të pavarur të mediave.

Kurti dëshiron një proces pa rol të SHBA-së, me opozitë të dobët dhe pa debat publik.

Në pamundësi për të jetësuar këtë dëshirë, ai zgjodhi t’i kthehet viktimizimit dhe opozitës, aty ku është vetvetja, aty ku mund sërish të natyralizohet në Albinin, i cili edhe politikën e Jashtme do ta shfrytëzojë për ngritjen e tij të ardhshme – nëse kjo ndodh ndonjëherë.