Policia: Tre kosovarët e arrestuar në Gjermani nuk kanë dosje për terrorizëm

Për tre personat nga Kosova të arrestuar pranë kufirit me Austrinë, deri më tani, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka asnjë informacion që i implikon ata me sulmet në Bruksel.

Lajme

23/03/2016 18:09

Fatos Makolli, drejtor i Departamentit Anti-Terrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë duke bashkëpunuar më autoritetet gjermane lidhur më këtë rast.

Por, sipas tij, personat e ndaluar, nuk kanë qenë të njohur më parë në Kosovë për ndonjë aktivitet të dyshuar apo ndonjë lidhje me grupet islamiste ekstremiste.

“Policia e Kosovës është duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet gjermane. Policia gjermane së bashku me ne është duke i vlerësuar informacionet në posedim, por deri më tani mund të konkludohet se nuk ka asnjë informacion për lidhje të mundshme për ndonjë ngjarje të caktuar apo që janë të involvuar në terrorizëm”, ka thënë Makolli për Radion Evropa e Lirë.

Policia gjermane ka arrestuar gjatë të martën tre persona me një makinë me targa belge, pranë kufirit me Austrinë.

Tre të dyshuarit nga Kosova janë arrestuar në ditën e sulmeve në Bruksel, të cilat kanë lënë të vrarë 34 veta.

Arrestimi është bërë në një autostradë në jug të Bavarisë, pas një informacioni nga zyrtarë të inteligjencës.