Policia thotë se Shaqiri ishte i paarmatosur
Policia e Kosovës bën të ditur se në vendin ku ndodhi incidenti i armatosur në mes të Gani Gecit dhe Ruzhdi Shaqirit në Skenderaj, kanë gjetur gëzhoja të vetëm një revoleje.

Lajme
Zëdhënësi i Policisë në Regjionin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha për Express se Policia edhe sot nuk mund të thotë që ka pasur viktima një armë.
Me këtë, Zahiti vë në dyshim pohimin e Ish-deputetit Geci i cili, pas vrasjes së ish-luftëtarit të UÇK-së, Shaqirit, kishte thënë se kishte shkrepur me armë, pasi që i ishte rrezikuar jeta.
Menjëherë pas incidentit, Geci kishte thënë për disa media se ishin në pyetje vetëm 5 sekonda, kur viktima kishte quar dorën te brezi, dhe Ganiu kishte nxjerrë armën e tij dhe e vrau Shaqirin.
Por, zëdhënësi i rajonit të Mitrovicës thotë se nuk ka pasur fare të shtëna nga revolja e Shaqirit.
“Ne kemi gjetur vetëm katër gëzhoja në vendin e krimit, që dyshohet se mund të jenë shkrepur nga arma e të dyshuarit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, nga arma e Gani Gecit. Nuk ka pasur armë tjetër në vendin e krimit”, tha për Express Zahiti.
Edhe bashkëshortja e Shaqirit, në një rrëfim të publikuar nga KosovaPress thotë që bashkëshorti i saj nuk ka pasur armë në momentin që u vra. Ajo pretendon që ai as që ka pasur armë në pronësi.
“Ai e ka pasur një çantë që i ka lanë dokumentet dhe telefonin, se nuk mund ti bartte në xhepa. Nuk ka pasur armë”, rrëfen ajo.