Policia shkatërron 10,000 bimë narkotike në Lazarat

RENEA dhe FSHF kanë arritur të hyjnë sot në orën 12:30, në mes të zjarrit të armëve, në pronat e Gate Mahmutajt në Lazarat, të dyshuarit kryesor që qëlloi me armë policinë dhe protagonisti i  sotshëm i ngjarjes së Lazaratit.

Lajme

16/06/2014 23:01

Policia njoftoi se aty u gjetën gëzhojat e armëve, me të cilat u qëllua kundër Policisë, si dhe 7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa e 1,000 kubikë, të cilët u asgjësuan, njoftoi Oranews.

Mahmutaj, në tentativën e tij për t’i fshehur provat dhe për të shmangur arrestimin, i kishte vënë zjarrin 6 fuçive me marihuanë, si dhe sasive të tjera të paketuara ose jo. Policia i ka mbledhur të gjitha provat për t’i dërguar ato në Prokurori.

Policia e Shtetit, e mbështetur edhe nga 500 forca të saj, kryesisht forca speciale, ka tentuar të hyjë që gjatë mbrëmjes së djeshme në Lazarat, por është pritur me armë.

Pas aksionit të sotëm, në Lazarat ka mbretëruar një armëpushim, por si njofton balkanweb, me terrin kanë filluar sërish të shtëna me armë.

Njëkohësisht, raportohet se nga Tirana janë nisur edhe 100 forca speciale të Policisë.