Policia serbe ndalon edhe 20 shqiptarë në kufi me Hungarinë

Policia kufitare serbe, në afërsi të Suboticës, ka parandaluar një grup të shqiptarëve të Kosovës në tentimin e tyre për të kaluar ilegalisht kufirin. 

Lajme

09/02/2015 17:02

Grupi prej rreth 20 njerëzve, si të rinj ashtu edhe familjarë me fëmijë të vegjël, u zbuluan në afërsi të autostradës, në veri të qytetit të Suboticës.

Nga fillimi i muajit dhjetor e deri më sot, policia serbe ka ndaluar kalimin ilegal të mbi 2,000 personave nga Kosova, transmeton lajmi.net informatën e gazetës serbe Blic .

Kundër 1,670 personave është iniciuar procedura kundravajtëse, pas së cilës atyre iu shqiptohet masa e vërejtjes apo e gjobës në të holla. Pas pagesës ata dërgohen në vendin nga kanë ardhur, pra në territorin e Kosovës.

Përveç kësaj, kundër 71 personave është depozituar fletëparaqitje penale për shkak të trafikimit të njerëzve, ndërsa janë konfiskuar 64 automjete, raporton milicia kufitare serbe.