Policia serbe ndalon autobusin me gazetarë shqiptarë, i pengon të arrijnë në Preshevë

Policia serbe në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm ka bllokuar grupin e gazetarëve shqiptarë që udhëtonin drejt Preshevës.

Lajme

11/11/2014 10:56

Gazetarët shqiptarë thonë se janë ndaluar në autostradë në Vranjë, pa një argument konkret, pastaj u është thënë se duhet të kalojë para delegacioni dhe se duhet të presin, raporton KosovaPress.

Janë 28 gazetarë, operatorë dhe fotoreporterë që po shkonin drejt Preshevës më autobus.

Policia më pas iu ka thënë se autostrada është e mbyllur dhe se janë nisur me vonesë nga hoteli.

Gazetarët thonë se përfaqësues të Ambasadës Shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme po mundohen të zgjidhin situatën përmes telefonit.

Gazetarët janë nisur në 05:00 të mëngjesit, ndërsa janë bllokuar në orën 09:00, ndërsa sa i përket kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe delegacionit të tij, ata janë nisur për në Preshevë gati një orë e 30 minuta përpara gazetarëve.