Policia premton siguri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës, kanë filluar në hartimin e planit që të ofrohet sa më shumë siguri në ditën e zgjedhjeve të 8 qershorit. 

Lajme

13/05/2014 12:19

Në kuadër të përgatitjeve të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare, dhe të bashkërendimit të aktiviteteve, sot janë takuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. 

Në një njoftim për media pas këtij takimi bëhet e ditur se të dy palët janë në përfundim të hartimit të planit të përbashkët. 

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës janë në fazën e fundit të hartimit të Planit Operacional të Sigurisë për Zgjedhjet e Parakohshme”, thuhet në njoftim.

Drejtori Maxhuni me këtë rast ka njoftuar kryetaren Daka se Policia e Kosovës ka filluar me përgatitjet e nevojshme në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe ligjore që ka dhe do të bashkërendojë aktivitetet me KQZ-në dhe institucionet tjera në funksion të realizimit të suksesshëm të procesit zgjedhor.