Policia po heton informacionin për atentat kundër Shpend Ahmetit
Një javë më parë Policia ishte informuar nga një qytetar se ka dëgjuar bisedën mes disa burrash në një lokal në Prishtinë, ku flitej për dhënien e një shume parash për vrasjen e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe për blerjen e armëve.
Lajme
Policia e Kosovës para një jave ka marr një informatë nga një qytetar, për “planifikimin e vrasjes” së Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
PK tashmë është duke e analizuar këtë informatë si dhe ka njoftuar edhe Kryetarin Ahmeti dhe ka shtuar masat e sigurisë.
Koha Ditore raporton se flitet për një shumë të madhe të parash dhënë për kryerjen e atentatit kundrejt Ahmetit. Në këtë tavolinë ka pasur edhe biznesmenë që mirren me ndërtime, tregti dhe biznesin e karburanteve.
Këto hetime është duke i kryer Drejtoria e Krimeve të Rënda në PK. Zyrtari për Informim i PK’së,Brahim Sadria ka thënë se këtë rast janë duke e trajtuar në përputhje me autorizimet.
“Ne jemi në dijeni të këtij informacioni dhe jemi duke e trajtuar atë në përputhje me autorizimet” .
Ndërkaq, Kryetari Shpend Ahmeti ka konfirmuar se është i informuar për një rast të tillë.
“Unë qysh në fillim i kam ndërmarrë masat e sigurisë për shkak se kam nisur rrënimet në Prishtinë. Policia më ka informuar për këtë në kuadër të masave të sigurisë që ndërmerr”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Burime nga Policia e Kosovës kanë thënë për “Koha Ditore” se personi që kishte dëgjuar bisedën në një restaurant të Prishtinës punon në institucionet e Kosovës. Ai ika treguar një anëtari të Lëvizjes Vetëvendosje për atë se çka kishte dëgjuar, dhe pastaj anëtari i VV’së, kishte shkuar menjëherë në Polici.