Policia po e heton një portal që po viktimizon persona të ndryshëm

Policia e Kosovës, ka filluar hetimet ndaj një portali i cili poston shkrim që krijojnë opinion negativ, duke viktimizuar personalitete të ndryshme. 

Lajme

16/05/2014 17:54

“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi për media dëshiron të informojë opinionin publik se ka filluar hetime intensive ndaj një portali të dyshuar i cili publikon shkrime të ndryshme, e që ndikojnë negativisht në opinionin e gjerë”. 

“Si pasojë e shkrimeve të ndryshme, të cilat kanë qëllime nga më të ndryshmet, kanë viktimizuar persona të ndryshëm, ku njëra ndër ta është edhe znj. Alma Lama, ish-deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. 

Policia gjithashtu, fton qytetarët që të mos bien pre e informacioneve të dyshimta të publikuara nga ky portal. 

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e provokimeve dhe komentimeve të ndryshme në këtë portal, pasi që ndaj të njëjtit janë duke u kryer hetime nga njësitet relevante policore”. 

“Njësitet policore janë duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet relevante, të cilat mund të ndihmojnë në realizimin e hetimeve konkrete ndaj këtij portali”. 

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe zbatimit të ligjit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe jetës së qytetarëve”.