Policia parandalon përplasjen mes Xhebrailave dhe Plisave
Tifozët e Prishtinës nuk janë lejuar të hyjnë në stadium në ndeshjen e sotme ndaj Ballkanit. Në pamjet që shihni më poshtë, të dërguara në redaksinë e Klankosova.tv, shihet se për t’i ndaluar ata të futen në impiantin sportiv, ka qenë i nevojshëm edhe intervenimi i policisë. Lidhur me këtë incident është deklaruar edhe policia.…
Sport
Tifozët e Prishtinës nuk janë lejuar të hyjnë në stadium në ndeshjen e sotme ndaj Ballkanit.
Në pamjet që shihni më poshtë, të dërguara në redaksinë e Klankosova.tv, shihet se për t’i ndaluar ata të futen në impiantin sportiv, ka qenë i nevojshëm edhe intervenimi i policisë.
Lidhur me këtë incident është deklaruar edhe policia.
Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Safet Hoxha, për Klankosova.tv ka thënë se nuk ka pasur përplasje mes tifozëve, duke shtuar se grupi i tifozëve “Plisat” nuk e kishte paralajmëruar ardhjen.
“Nuk ka qenë përplasje mes tifozëve. Tifozët e Prishtinës, nuk e kanë paralajmëruar ardhjen dhe për këtë arsye është dashur intervenimi i policisë. Nuk ka të arrestuar, vetëm se janë gjobitur disa shoferë që nuk i kanë respektuar rregullat dhe urdhrat e policisë”, deklaroi ai.
Se nuk ishin lejuar të hyjnë në stadium e treguan edhe vetë “Plisat” përmes një njoftimi në Facebook, duke shkruar: “Mysafirë të padëshiruar”.
Përplasje mes këtyre dy tifozërive kishte edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” më 4 shtator 2022, ku kishte edhe të lënduar nga mjetet e mprehta.
Derbi i javës së 17-të në Superligë i takoi Ballkanit që e mposhti Prishtinën me rezultat 3:1, duke e forcuar edhe më tutje vendin e parë në renditjen tabelare.