Policia nuk ka dështuar
Ministri Bajram Rexhepi thotë se policia ka bërë punën e vet si duhet më 3 nëntor. Sipas tij, imazhi i Kosovës do të dëmtohej nëse policia do të ndërhynte në vendvotime.

Lajme
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se Policia e Kosovës e ka kryer punën e vet si duhet në pjesën veriore të vendit më 3 nëntor.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë kritikuar dje punën e organeve të rendit në vendvotimet në Veri të Kosovës, pasi ato u sulmuan nga ekstremistët serbë të cilët shkatërruan materialin zgjedhor dhe bënë që zgjedhjet të ndërpriten para afatit të përcaktuar ligjor.
Por, Ministri Rexhepi thotë se nuk ka marrë zyrtarisht ndonjë vërejtje nga organizatat vëzhguese për punën e policisë më 3 nëntor.
“Ne të gjithë e dimë, kush e di realitetin në Veri, që (Policia) relativisht mirë e ka kryer detyrën e vet. Kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me EULEX’in dhe KFOR’in.\”
\”Është respektuar zinxhiri komandues, në një ambient të tillë ku së pari herë janë mbajtur zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, dhe duke e ditur se policia e Kosovës në veri gjithnjë ka qenë pak më e brishtë. Këtë herë ata kryesisht e kanë kryer detyrën si duhet”.
Sipas Rexhepit, policia ka bërë mirë që nuk ka ndërhyrë atë ditë kur personat e maskuar ndërhynë në procesin e votimit.
“Ne duhet të mendojmë edhe politikisht. Cili kishte me qenë imazhi i Kosovës, sikur edhe policia, edhe KFOR’i edhe EULEX’i të shkojnë dhe të sigurojnë me autoblinda apo me diçka tjetër vendvotimet? Çfarë pasqyre, çfarë imazhi do të kishte me qenë kjo? Prandaj, ne duhet t’i kalkulojmë këto, dhe ky për ne është një incident minor, dhe në përgjithësi policia e ka kryer detyrën në mënyrë të shkëlqyeshme”.
“Sipas informatave të fundit në këto tri qendra zgjedhore do të organizohet sërish zgjedhjet, dhe sigurisht që do të ndërmerren masa edhe më të mira, nëse duhet të nxirret mësim që në mënyrë preventive, proaktive të jenë edhe më aktivë”.
Ministri Rexhepi, po ashtu, ka paralajmëruar se as në raundin e ri zgjedhor nuk do të dërgohen autoblindat në Veri.