Policia në SHBA vret një 12 vjeçar që mbante në dorë një armë lodër

Një djalë 12-vjeçar është qëlluar për vdekje nga policia në qytetin amerikan Cleveland në një park fëmijësh, pasi dyshuan për kërcënim, por pas hetimit doli se ai po mbante në dorë një armë lodër. 

Bota

24/11/2014 10:51

Një telefonues raportoi djalin në polici, se ai po mbante në dorë një armë, dhe se nuk e dinte nëse ajo ishte armë reale.

Njëri polic ishte në vitin e tij të parë të punës, ndërsa tjetri me më shumë se 10 vjet përvojë pune, raporton BBC.

Djali u qëllua të shtunën pasdite dhe vdiq në spital herët të dielën në mëngjes.

Zëvendësshefi i policisë së Cleveland Ed Tomba tha djali ishte qëlluar dy herë kur tërhoqi armën nga rripi i pantallonave të tij, transmeton lajmi.net.

Djali nuk kishte bërë kërcënime verbale e as nuk e kishte nxjerr armën për të kërcënuar oficerët policor.

Policia tha se arma ishte një lodër,  armë kopje që i ngjante një pistolete gjysmë-automatike.

Raportuesi kur i telefonoi policisë, tha se djali e kishte të vendosur armën në pantallona. “Unë nuk e di nëse është e vërtetë apo jo”, kishte thënë ai. 

Autoritetet thonë se ka pasur tashmë thirrje për kontrolle më të ashpra mbi armët lodra, dhe një ligjvënësi lokal ka kërkuar që të krijohet një legjislacion që armët – lodra të jenë me ngjyra të ndezura. Në SHBA ka raste të shpeshta ku fëmijët apo të rinjtë kryejnë sulme me armë, kryesisht në institucione arsimore, siq janë shkollat. (lajmi.net)