Policia mbledh fakte për kanosje nga ana e Agim Bahtirit

Gazmend Muja, ish asamblist i AKR-së, partisë në pushtet në Mitrovicë, i cili ka aderuar ditë më parë në PDK, e ka nervozuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri. Policia në Mitrovicë, pas fletëparaqitjes, ka iniciuar rastrin kundër kreut të Mitrovicës.  

Lajme

29/05/2014 21:13

Asamblisti Muja gjatë seancës të së enjtes të Kuvendit Komunal dhe para këshilltarëve e bëri publik aderimin e tij në PDK.

Sipas njërit nga këshilltarët e pranishëm në seancë, me atë rast kryetari Bahtiri i është drejtuar Mujës me fjalët “hajni shkon te hajnat”.

Kjo ka nxitur reagime të ashpra në sallë, me ç’rast opozita ka braktisur sallën dhe në mungesë të kuorumit ka ardhur deri tek ndërprerja e seancës.

Zëdhënësi i Komunës së Mitrovicës, Hysni Syla, në një prononcim për Kosovapress, ka thënë se Komuna është institucion ku zhvillohen debate, ngrihen tonet dhe herë herë ka edhe tensione.

Ai ka pranuar se kryetari Bahtiri ka shpërthyer në një moment duke i thënë Mujës se “hajni shkon tek hajnat” dhe asgjë më shumë.

Syla ka mohuar të ketë pasur sulm fizik, ndërsa ndërhyrjen e pjesëtarëve të Policisë, në këtë rast, dhe marrjen e audio incizimeve nga ana e tyre e konsideron krejtësisht të panevojshme.

Në anën tjetër, Avni Zahti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë, konfirmoi se është inicuar të enjten një rast kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës, e që ka të bëjë me kanosje.

“Në bazë të ankuesit, policia ka inicuar një rast të kanosjes, ku i dyshimtë është kryetari Agim Bahtiri”, tha për Kosovapress Zahiti, pa dhënë detaje shtesë.

Rrustem Musa, këshilltari PDK-së, është shprehur i shqetësuar tej mase me tërë atë që ka ndodhur gjatë seancës të së enjtes.

Ai veprimet e kryetarit Bahtiri i ka cilësuar si sjellje jashtë çdo norme civilizuese.

“Demokracia në Mitrovicë ka filluar të shkelet qysh në seancën e parë, dhe po vazhdon akoma me sjellje anti demokratike nga ana e kryetarit, duke cenuar fillimisht të drejtat e stafit civil, dhe duke u munduar që të njëjtën gjë ta bëjë edhe ndaj stafit politik”, theksoi Musa.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se janë edhe tre persona tjerë të cilët gjatë ditës së sotme janë paraqitur në polici për të dhënë deklarata për ofendim dhe kanosje nga ana e Agim Bahtirit.

Sipas këtyre burimeve, pritet që gjatë ditës së nesërme të intervistohen të gjithë të pranishmit e seancës së sotme rreth kësaj ngjarje.