Policia largoi ‘Mbrojtjen Civile Serbe’

Rreth gjysmë ore para hapjes së qendrave të votimit në Veri, aty ishin shfaqur disa persona me mbishkrime të Mbrojtjes Civile Serbe. Policia e Kosovës thotë se bashkë me EULEX’in kanë intervenuar dhe larguar ata.

Lajme

17/11/2013 12:47

Pak para hapjes së tri vendvotimeve në Mitrovicën Veriore, në afërsi të tyre janë shfaqur një grup njerëzisht të veshur me rrroba që mbanin mbishkrimin e Mbrojtjes Civle Serbe.

Policia e Kosovës thotë se në bashkëpunim me EULEX’in kanë intervenuar menjëherë duke bërë të mundur largimin e tyre dhe nisjen e qetë të procesit të votimit.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se ky ka qenë problemi i vetëm që ka ndodhur në Veri deri tash, përndryshe ai e vlerëson të qetë procesin zgjedhor që po zhvillohet atje.

“Janë paraqitur disa persona me mbishkrime të Mbrojtjes Civile. Ata qëndronin jashtë perimetrit të qendrave të votimit. Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe në koordinim edhe me partnerët e EULEX’it është intervenuar dhe ata janë larguar”.

“Personat janë larguar me bazë ligjore”.

Zëdhënësi Kelani thotë se kanë një numër të konsiderueshëm të pjsëtarëve të Policisë në pjesën Veriore, të gatshëm për të intervenuar në rast nevoje.

“Janë paraparë të jenë mbi 200 zyrtarë policorë, të cilët janë prezent në detyrë dhe kemi numër rezervë që pret në rast nevoje që të inkuadrohet”.

“Deri në këto momente situata është e qetë dhe prezenca e Policisë është atje, dhe zhvillimi i rivotimit po bëhet në mënyrë të qetë dhe pa probleme”.

Po ashtu, Prokurorja Laura Pula, thotë se është një situatë e qetë deri më tani, dhe prokurori i shtetit ka caktuar 2 prokurorë kujdestarë.

“Njëjtë sikurse në ditën e votimit të datës 3 nëntor, edhe në ditën e sotme prokurori i shtetit ka caktuar nga 2 prokurorë kujdestarë. Po ashtu kujdestarët janë edhe prokurorë të EULEX’it”.

“Zyra e Prokurorit të shtetit njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se deri në mbajtjen e kësaj konference nuk është shënuar ndonjë incident serioz në pjesën e Mitrovicës së veriut, përkatësisht në tri qendrat e  votimit në shkollat Sfeti Sava, Shkolla Teknike dhe e Mjekësisë, në të cilat po zhvillohet procesi i votimit nga qytetarët e Republikës së Kosovës.”

“Ngjarja e vetme e cila është shënuar deri në këto orë, është largimi i disave personave të ashtuquajtur Mbrojtja Civile, të cilët ishin të vendosur në qendrat e votimit para hapjes së tyre. Në orën 6:30 minuta policia e Kosovës ka larguar këta persona, nga të gjitha këto qendra, që ishin afër perimetrit nga qendrat e votimit”, ka thënë Pula.