Policia kap narkotikë në vlerë 153 mijë euro, në dy raste të ndara në Prishtinë dhe Ferizaj

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në dy raste të ndara ka arrestuar katër persona dhe se ka konfiskuar, gjashtë kilogramë heroinë dhe 38.62 gramë kokainë. Në rastin  e parë Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas…

Lajme

22/08/2024 11:53

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në dy raste të ndara ka arrestuar katër persona dhe se ka konfiskuar, gjashtë kilogramë heroinë dhe 38.62 gramë kokainë.

Në rastin  e parë Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Sipas njoftimit të Policisë thuhet se dy të dyshuarit e kanë sjellë me veturë substancën e dyshuar narkotike e të cilët janë larguar më pas me veturë nga vendi i ngjarjes.

Pas ndërhyrjes së Policisë tek personi i dyshuar janë gjetur gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6 kilogramë e 137 gramë, ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro.

Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Dy telefona celularë, Një veturë, dhe 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.

“Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Derisa në rastin e dytë gjatë ditë së djeshme pas pranimit të disa informacioneve Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë.

Për këtë nën dyshimin se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit në Ferizaj, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Derisa në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro, para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.

“Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë. /Lajmi.net/