Policia tregon detaje për vrasjen e mbrëmshme në Podujevë

Një i ri 25 vjeçar ka vdekur sot në mëngjes si pasojë e plagëve të marra mbrëmë në qytetin e Podujevës.

Lajme

08/02/2016 14:16

Policia rajonale e Prishtinës, sot përmes një njoftimi ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:40, ku ka pasur të shtëna me armë zjarri në  mes dy personave në afërsi të parkut të qytetit në Podujevë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni Policia thotë se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet  e nevojshme policore, me ç’ rast kanë konstatuar se bëhet fjalë për  plagosje me armë zjarri, ku janë plagosur rëndë dy persona, njëri prej të cilëve, F.B.  25 vjeç, raporton lajmi.net.

I njëjti duke mos mundur t’u përballoj plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë, sot në orët e para të mëngjesit, gjegjësisht rreth orës 01:25.

Ndërsa, i plagosuri tejtër, E. Ll.  30  vjeç bëhet e ditur se po vazhdon tretmanin mjekësor në QKUK.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe në lokacionet të cilat janë bastisur policia ka gjetur dhe sekuestruar: Tri automjete, një revole e tipit TT, një pistoletë e tipit HS”XDM”, 28 fishekë, 2 karikatorë të zbrazur, si dhe një AK 47 me 51 fishekë, armë kjo e gjetur dhe sekuestruar nga njësitet policore të stacionit jugu në Prishtinë, brenda objektit të QKUK-së, në posedim të njërit prej personave të përfshirë në rast.

Tutje, në vazhdimësi të veprimeve të saja policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg  veprimesh operative e hetimore që konsistojnë në kërkimin edhe të disa personave të tjerë të dyshuar si dhe po punon për  të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

Ndërkohë që lidhur me këtë rast masa e arrestit policor prej 48 orësh u është shqiptuar nga prokurori i shtetit dy personave të dyshuar, F. Ll.  27  vjeç dhe S. Ll. 32  vjeç. /lajmi.net