Policia jep detaje për vdekjen e Fadil Syleviqit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me rastin ku Fadil Sleviqi u gjend i vdekur në periferi të Prishtinës.

Lajme

15/01/2021 17:30

Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin për lajmi.net se ish-zyrtari i saj, Fadil Syleviqi është gjetur i vdekur sot në afërsi të Liqenit të Badovcit.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka deklaruar për lajmi.net Bajram Krasniqi, zyrtar për informim në policinë e Kosovës.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është  i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, shtoi ai.

Fadil Syleviqi ka qenë i thirrur si dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.

Emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllëzërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001. Ata e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin. /Lajmi.net/