Policia jep detaje për përleshjen mes tifozëve të Prishtinës dhe Llapit

Pas ndeshjes mes Prishtinës dhe Llapit, ku vendasit arritën fitore me rezultat minimal, situata në mes të tifozëve ka eskaluar totalisht.

Lajme

11/05/2019 21:04

I pari që ka reaguar ishte kryetari i ‘Legjendave’, Bajram Bejtuhallu, i cili tha se 6 tifozë të Llapit janë sulmuar me thikë në Prishtinë.

Një gjë e tillë u hodh poshtë menjëherë nga udhëheqësi i ‘Plisave’, Albert Kastrati, i cili mohoi të kenë pasur gisht në këto therrje, shkruan lajmi.net.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për lajmi.net, ku ka konfirmuar se janë lënduar dy persona, prej tyre njëri është i therrur dhe po merr tretman në QKUK.

PK gjithashtu tregoi se ngjarja ka ndodhur në afërsi të sheshit Nëna Terezë, por ende nuk dihet saktësisht se cilës palë i takojnë tifozët e lënduar.

‘’Rreth orës 19:30, nga QKUK, jemi njoftuar për dy persona të lënduar, njëri prej tyre dyshohet të jetë i therrur me thikë. Derisa personat po marrin trajtimin mjekësor, njësitet policore janë duke punuar në zbardhjen e këtyre dy rasteve që kanë ndodhë në afërsi të sheshit Nëna Terezë, ku dyshohet se ka pasë përleshje mes tifozëve pas një ndeshje futbollistike’’, konfirmoi për lajmi.net zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. /Lajmi.net/