Policia italiane i gjen shqiptarit drogë në vlerë me miliona euro

Një sasi prej rreth 48 kilogramë drogë është sekuestruar nga policia italiane. Sipas medieve vendase, droga u sekuestrua në Reggio Emilia në bashkëpunim me policinë e Bolonjës.

Lajme

15/03/2016 19:08

Lënda narkotike ishte e llojeve të ndryshme, ku 23 kilogramë ishin marijuanë, 5 kilogramë hashash, si dhe 20 kilogramë kokainë. Për rastin u arrestua një 44 vjeçar shqiptar.

Lënda narkotike ishte fshehur në banesën e shqiptarit, ku zakonisht banonte. Vlera e lëndës narkotike është disa miliona euro.

Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua për t’u transferuar në qelitë e burgut “Via Settembrini”, ku do të merret në pyetje.

Në fakt, kontrollet e policisë italiane janë zhvilluar gjatë së premtes, por vetëm sot lajmi u publikua në media pas marrjes së dëshmisë së të arrestuarit.

Tashmë, hetimet e zv/prokurori Stefano Pigozzi, do të përqendrohen në zbulimin e prejardhjes së lëndës narkotike si dhe rrjetin e shpërndarjes.