Policia greke vret 2 shqiptarë
Nga një shkëmbim zjarri në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë mbetur të vdekur dy shqiptarë dhe një polic grek, raportojnë media greke.

Lajme
Dy shqiptarë dhe një polic grek kanë mbetur të vdekur, si pasojë e një shkëmbimi zjarri, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur 20 minuta pas mesnatës, në zonën e Follorinës, në liqenin e Prespës së Vogël.
Tre policë grekë, të cilët kontrollonin liqenin e Prespës së Vogël, janë përplasur me dy shqiptarë, që ishin në një kasolle pranë liqenit, duke peshkuar.
Mësohet se një prej policëve ka shkuar në kasollen e shqiptarëve, por është qëlluar nga këta të fundit, duke mbetur i vdekur. Më pas efektivët e policisë greke kanë qëlluar me armë ndaj shqiptarëve, duke i lënë të dy të vdekur.
Sipas informacioneve të para, polici i vdekur është një 43-vjeçar, babai i tre fëmijëve. Nga shkëmbimi i zjarrit janë plagosur edhe dy policë të tjerë grekë. Identiteti i shqiptarëve të vdekur, ende nuk bëhet i ditur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet dhe zbardhjen e plotë të këtij konflikti, që çoi në vdekjen e tre personave.
(Shekulli)