Policia ende po patrullon në Badovc
Për ta dëshmuar sigurinë dhe gatishmërinë në luftën kundër terrorizmit, policia e Kosovës duket të jetë shumë aktive.

Lajme
Ata vërehen kudo, e sidomos në ato pjesë ku janë ngritur dyshimet se mund të kryhen aktivitete terroriste.
Njësitet policore po vazhdojnë ende të patrullojnë në Liqenin e Badovcit, aty ku javë më parë u arrestuan pesë persona nën dyshimin për lidhjet e tyre me organizatat terroriste. Tash kontrollet po bëhen edhe me anije.
Ata në këtë formë po vazhdojnë ta mbikëqyrin gjendjen e sigurisë, pas arrestimit të disa personave me dyshimin për terrorizëm.
Edhe pse masat e sigurisë janë shtuar, policia bën thirrje që të mos krijohet panik.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për RTK-në se policia në kohë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke përfshirë edhe masat e sigurisë te Liqeni i Badovcit.
Prezenca e policisë në këtë pjesë ka reduktuar edhe numrin e vizitorëve te liqeni.
Ata shihen fare rrallë në këtë pjesë që më herët shihej si mundësi e mirë për t’i kaluar ditët e nxehta.
Ka disa javë që andejpari vërehen më shumë policë, sesa vizitorë.