Policia e Pejës me veprime shtesë në kontrollin e mjeteve të transportit publik

Policia e rajonit të Pejës ka planifikuar veprime shtesë në kontrollin e mjeteve të transportit publik me qëllim që situata e krijuar me pandeminë COVID-19, të jetë e menaxhueshme dhe nën kontroll.

Lajme

19/09/2020 13:41

Policia e këtij rajonit, nëpërmjet një komunikate për medie kanë bërë të ditur se kjo iniciativë do të fillojë së zbatuari nga data 21 shtator, kur edhe numri i nxënësve në shkolla do të rritët.

Derisa vazhdojnë t’i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët shfrytëzojnë transportin publik si dhe kompanive të cilat ofrojnë këto shërbime t’ iu përmbahen udhëzimeve të IKSHP-së dhe vendimeve te Qeverisë.

Më poshtë keni komunikatën e plotë:

Që nga Marsi i këtij viti Policia e Kosovës është duke implementuar Vendimet e Qeverisë në lidhje me luftimin e Pandemisë COVID 19.

Tani siç edhe jeni të njoftuar kemi ligjin për luftimin e Pandemisë dhe Policia e Kosovës në kuadër te mandatit qe ja jap ky ligj është duke bërë ç ‘është e mundur qe shëndeti publikë të ruhet dhe qytetarë ta kalojnë këtë situatë sa me lehtë.

Me 14 shtator 2020 ne kishim fillimin e vitit shkollor por me një numër dukshëm te reduktuar te nxënësve sipas planifikimeve Qeveritare, ndërsa nga data 21. Shtator 2020 ky numër do të rritet, prandaj Policia e Kosovës respektivisht Policia e rajonit të Pejës ka planifikuar veprime shtesë në kontrollin e mjeteve te transportit publik me qëllim qe situata rreth Pandemisë te jetë e menaxhueshme dhe nën kontroll, gjithnjë në zbatimin e udhëzimeve te IKSHP-së dhe vendimeve të Qeverisë.

Vendimi i Qeverisë thotë në mënyrë te qartë. “të gjitha subjektet qe ofrojnë transport publik (autobusë, kombi, taxi) te punojnë me përgjysmim te kapaciteteve te tyre sa i përket numrit të udhëtarëve qe bartin për te lejuar hapësirën e nevojshme për çdo qytetar”.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ne realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore dhe njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që shfrytëzojnë transportin publik si dhe kompanive që ofrojnë këto shërbime t’ iu përmbahen udhëzimeve te IKSHP-së dhe vendimeve te Qeverisë./Lajmi.net/