Policia e Kosovës shpreh ngushëllime pas vdekjes së Bajram Rexhepit
Me anë të një komunikate drejtuar mediave, Policia e Kosovës ka shprehu ngushëllime pas vdekjes së ish kryeministrit, Bajram Rexhepi.

Lajme
Në njoftim thuhet se përkrahja e Rexhepit ndaj PK-së sa ishte ministër i brendshëm ka qenë shumë e madhe.
Lexo telegramin e plotë të ngushëllimit nga Policia e Kosovës:
E nderuar Familje Rexhepi,
Policia e Kosovës në krye me menaxhmentin e saj, me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe njëherit ish-ministrit të punëve të brendshme Bajram Rexhepit.
Ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë në Policinë e Kosovës, duke e përkrahur dhe mbështetur në të gjitha sferat përderisa ishte Ministër i Punëve të Brendshme.
Policia e Kosovës do ta përkujtojë çdo herë si një kontribuues të veçantë në avancimin e agjendës shtetndërtuese të Kosovës, e në veçanti të përkrahjes dhe zhvillimit profesional të Policisë.
E nderuar Familje Rexhepi,
Policia e Kosovës, menaxhmenti i saj, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!