Policia e Kosovës i ka nën monitorim pjesëmarrësit në luftërat e huaja

Policia e Kosovës vazhdon ta monitoroj situatën nga afër sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit dhe kërcënimet nga terrorizmi.

Lajme

28/09/2015 15:58

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni thotë se kërcënimet nga terrorizmi dhe pjesëmarrja e qytetarëve të vendit në luftërat në Siri dhe Irak po paraqesin sfidë në vete për Policinë e Kosovës.

Këto komente Maxhuni i bëri në një konferencë të organizuar nga Ambasada italiane në Kosovë, me temën, “Policia Ushtarake, një kapacitet i fuqishëm dhe dinamik në operacionet ushtarake, përvoja e karabinierëve”.

Në këtë konferencë janë paraqitur pikëpamjet e institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë, kryesisht të Carabinierëve italian dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në raport me ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.

“Ju e dini që Policia e Kosovës është e fokusuar dhe vepron në kuadër të planeve strategjike nacionale, në rastin konkret edhe me veprimet apo në luftën kundër terrorizmit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Tashmë kemi bërë të njohur disa herë që Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime konkrete në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Shtetit, ku ka arrestuar një numër të qytetarëve për të cilët ne kemi informacione të konfirmuara dhe dyshohen që kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak. Policia e Kosovës përpos këtyre veprimeve aktualisht është duke e monitoruar dhe duke përcjell situatën për së afërmi për t’u siguruar që qytetarët tanë nuk përfundojnë pre e aventurave të ndryshme siç kemi pasur rastin që detyrimisht të ndërmarrim masa dhe veprime që ligji parasheh për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e atyre luftërave”, tha Maxhuni.

Gjatë kësaj konference janë paraqitur filma dokumentar rreth Carabinierëve italian, lidhur me ato që përballen si brenda vendit të tyre, ashtu edhe në misione jashtë vendit.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese theksoi se Carabinierët veprojnë edhe në Kosovë në kuadër të forcave të NATO-së, që prej përfundi mit të luftës së fundit.

“Carabinierët në Kosovë veprojnë në kuadër të forcave të NATO-së dhe kanë kapacitetet që të veprojnë edhe si ushtarak, edhe si polici civile në të njëjtën kohë. Në Kosovë janë që 16 vite, prej vitit 1999 dhe kanë kapacitetin që të jenë shumë të afërt me popullsinë dhe gjithashtu me Policinë vendore. Janë 5700 pjesëtarë që kanë vepruar prej vitit 1999 dhe kanë krijuar marrëdhënie shumë të mira me popullsinë e Kosovë dhe gjithmonë në Itali kthehen me një ndjenjë shumë të mirë me këtë vend”, tha ai.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe përfaqësuesit e Policisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët prezantuan punën e tyre të cilën e bëjnë.

Komandanti i Policisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shpend Zogaj tha se Policia e FSK-së, ka të bëjë vetëm me pjesëtarët e kësaj force, ku i kontrollon, menaxhon me rendin dhe disiplinën brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës, por jo edhe me qytetarët. Derisa, vlerësoi lartë bashkëpunimin me Carabinierët italian, duke thënë se trajnimet e para i kanë marrë pikërisht nga instruktorët e carabinierëve.

“Aktivitetet tona kryesisht janë të bazuara në përcjelljen e aktiviteteve të FSK-së. Shembull kur dalin në ushtrime të ndryshme, në situata reale, ne sigurojmë forcën tonë me automjete, me personel, derisa të kryhet një situatë e caktuar qoftë situatë reale apo trajnime…Me Carabinierët kemi bashkëpunim shumë të mirë. Në fillim kur ka filluar Policia e FSK-së të trajnohet është trajnuar me instruktor të Carabinierëve, do të thotë baza jonë e trajnimit ka filluar me Carabin ierët, pastaj ka shkuar duke u zhvilluar me shtetet tjera përkrahëse të FSK-së”, theksoi Zogaj.

Arma Carabiniere është armë ushtarake me status policor, e formuar në vitin 1814. Por, në të njëjtën kohë Carabinierët kanë edhe status ushtarak. Nga viti 2000, Carabinierët janë të ndarë nga ushtria, derisa raportojnë drejtpërdrejt në Ministrinë e Mbrojtjes, gjegjësisht në komandën gjenerale të Carabinierëve.Po ashtu, Carabinierët veprojnë edhe si policë, ata bëjnë edhe detyrat e policëve në shtetin e tyre, ku janë të varur nga Ministria e Punëve të Brendshme. /Kosovapress