Policia e Kosovës dhe Shqipërisë, patrullim me motobarkë në Vërmicë

Njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës bashkë me kolegët e tyre nga Shqipëria po tregojnë suksese në luftën kundër krimit dhe kontrabandës.

Lajme

10/08/2014 21:33

Patrullimi i përbashkët me barkë përgjatë liqenit të Vërmicës ka rezultuar i suksesshëm duke ulur numrin e rasteve të kriminalitetit dhe kontrabandës në këtë zonë të përgjegjësisë. 

Një motobarkë e vogël por shumë e përshtatshme për punë përdoret nga dy policitë kufitare; asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, për kontrollin e ujërave territoriale në Vërmicë. Vëzhgimi i terrenit kryhet nga ekipe të specializuara dhe ka bërë që numri i rasteve të kontrabandimit të ulet ndjeshëm. 

“Rezultatet e patrullimit kanë qenë shumë të efektshme. Ne përveç patrullimit si njësi policore e Kosovës kemi realizuar edhe patrullime të përbashkëta me policinë shqiptare, gjithashtu me doganën e Kosovës. Si rezultat kemi arritur të parandalojmë kontrabandën me mallra, siç ishte rasti i kontrabandës me duhan, pastaj parandalimi i kalimeve ilegale si dhe trafikimit të qenieve njerëzore”, ka theksuar Shaban Osmanolli, udhëheqësi i njësitit patrullues të Policisë së Kosovës. 

Jo rrallë , kjo zonë kufitare, është keqpërdorur nga individë apo grupe të interesit për të kaluar mallrat e tyre në mënyrë të paligjshme, por digjitalizimi dhe patrullimi 24 orë nga dy policitë ka bërë që këto raste të mos jenë shumë problematike në këtë zonë të përgjegjësisë. E ky bashkëpunim ka shtuar sigurinë e banorëve të zonës. 

“Sot i kemi vëllezërit tanë policë e ushtarë si në atë anë në Shqipërinë e vjetër, si këndej në Kosovë. Me këto patrullime e ndjejmë veten më të sigurt. Deri më tash nuk ka ndodhur diçka për të cilën kemi pasur nevojë për ta thirrur policinë, por nëse ndodh diçka brenda dy minutave policia është këtu”, ka thënë një banor. 

Të gjitha pajisjet e kontrollit në pikën kufitare të Vërmicës janë digjitalizuar falë donacioneve të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së dhe të njëjtat janë future në përdorim pas trajnimit të policisë kufitare në projektin për menaxhimin e integruar të kufirit. Në këtë mënyrë, sipas zyrtarëve policorë, çdo ditë e më shumë, po pengohen veprimet kriminale në zonat kufitare në mes dy vendeve. (RTK)