Policia e Kosovës dematon atë të Maqedonisë: Nuk ka përfshirje të kosovarëve në Likovë

Policia nuk ka arritur ta konfirmojë përfshirjen e një grupi kosovarësh në sulmin e rajonit policorë në Goshincë të Likovës, por zyrtarët policorë të Kosovës po merren me rastin që deri me tash e kanë pranuar si informatë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Lajme

21/04/2015 16:25

“Policia e Kosovës, përmes autoriteteve maqedonase e posedon këtë informacion lidhur me rastin e ndodhur në Stacion Policor Kufitarë Goshincë, KK Likovë Maqedoni, mirëpo deri në këtë fazë ju konfirmojmë se nuk ka asnjë element të dyshimit/kalimit të vijës kufitar nga individë apo grupe kriminale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Gazetën Express.

Po ashtu, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për Gazetën Express se kufiri i Kosovës me Maqedoninë ka qenë gjatë gjithë kohës nën kontroll dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje të dyshimtë nga asnjëra anë e këtij kufiri.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti i Policisë Kufitare ka planin operativ, për mbulimin dhe kontrollin e vijës kufitare, duke përfshirë patrullimet e përbashkëta me zyrtarët kufitar të Maqedonisë dhe mund të konfirmojmë se gjatë realizimit të detyrave policore nuk është vërejtur asnjë element apo lëvizje e individëve apo grupeve të dyshuara nga Republika e Kosovës drejt Maqedonisë dhe anasjelltas”, thuhet në përgjigjet e policisë.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe MPB-në e Kosovës, mirëpo zyrtarët aty kanë thënë se është herët për t’u deklaruar.

Ndryshe, në Gushnicë raportohet të jetë sulmuar rajoni policorë, të martën, nga një grup personash të armatosur dhe të cilët thuhet të kenë folur shqip dhe të kenë bartur uniformë dhe emblemë të UÇK-së.

Sipas, MPB-së Maqedonase ky sulm që ata e quajnë terroristë është kryer nga 40 kosovarë të cilët kishin kapur 4 policë në këtë rajon policor në Goshincë të Likovës.