Policia e Kosovës bastis shtëpitë e të përfshirëve në rastin e Kumanovës

Policia e Kosovës të premten ka ndërmarrë aksion të gjerë për të bastisur shtëpitë e të gjithë shtetasve të Kosovës të përfshirëve në konfliktin e fundjavës së kaluar në Kumanovë.

Lajme

15/05/2015 11:56

Zyrtarë të policisë kanë konfirmuar për Gazetën Express se gjatë bastisjes kanë marrë fotografi dhe kanë grumbulluar dëshmi tjera për shkaqet e përfshirjes së këtyre personave në konfliktin në shtetin fqinj.

Po ashtu, edhe familjarë të këtyre personave kanë treguar për Gazetën Express se kanë nënshkruar proces verbalet e policisë ku janë marrë dëshmitë e tyre.

Ndryshe, në konfliktin e së shtunës dhe së dielës së kaluar në Kumanovë, tashmë është zyrtarizuar pjesëmarrja e një numri të Kosovarëve. Disa prej këtyre pjesëmarrësve nga Kosova raportohet se janë arrestuar dhe po ashtu në mesin e tyre është konfirmuar se ka edhe të vrarë.