Policia e konfirmon vetë se patrulloi me vetura të pasiguruara, i siguron ato urgjentisht

Policisë së Kosovës i është bërë rutinë e çdo vjetshme vështirësia për të siguruar automjetet.

Lajme

27/01/2021 21:24

Policia e Kosovës është institucioni që shqipton rreth 1000 gjoba në ditë për shkelësit e rregullave të trafikut. Në mesin e gjobave ka edhe plot sosh që veturave u ka skaduar regjistrimi. Ato janë ndër më të lartat. Lajmi.net ka mësuar se për disa javë policia ka patrulluar me vetura që u kishte skaduar sigurimi.

E gjithë kjo ka ndodhur ngase Zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës nuk ka arritur të zhvillojë më kohë procedurat tenderuese të cilat kanë të bëjnë me sigurimin e automjeteve motorike të PK-së.

Zyrës së prokurimit të këtij institucioni i kanë dështuar disa iniciativa për të realizuar një tender, procedurat e të cilit i ka filluar para disa muajve. Në fillim të këtij viti, policisë i kanë skaduar dy kontratat valide që i ka pasur për këtë punë.

Prokurimi i policisë ka lidhur kontratë këtë të premte (22 janar) me kompaninë e sigurimeve “Scardian” me procedurë të negociuar në një vlerë prej 123, 636.19 euro.

“Shërbimet e sigurimeve emergjente të automjeteve të PK-së”, quhet kontrata e re e policisë. Në këtë kontratë është kërkuar që të sigurohen urgjentisht:

Grupi Tarifor I, cm3 Automjete për pasagjer ku janë paraparë të sigurohen urgjentisht, pasi u ka skaduar sigurimi 469 sosh automjeteve.

Grupi Tarifor-II-,Ton Automjetet Kargo- Komionet janë paraparë të sigurohen 26 sosh.

Grupi Tarifor-III-, Autobusët Ndërurban, është paraparë sigurim i 10 sosh automjeteve.

Grupi Tarifor-V-, Motocikleta në cm3, 13 sosh

Grupi Tarifor VI, Rimorkio, 2 sosh.

Planifikimi i keq i prokurimit të policisë

Dy kontratat valide që ka pasur ky institucion për sigurimin e automjeteve kanë skaduar në fillim të këtij muaji.

Njëra kontratë ka skaduar më datë 5 janar dhe tjetra më 30 dhjetor 2020.

Zyra e prokurimit po ka telashe që të lidhë kontratë të re ngase kompanitë garuese po ofertojnë me çmime shumë ta larta. Në fakt, kompanitë kanë pasur ankesa se mjetet e parapara për regjistrimin e automjeteve janë të pakta të vendosura nga prokurimi i policisë në njoftimin për kontratë për sasinë e automjeteve të parapara për sigurim.

Më datën 1 janar 2021, policia kishte hapur tender të ri me procedurë të hapur, me afat 1 vjeçar ku vlera e parashikuar e kontratës ka qenë  545, 692,48 euro. Kjo ishte iniciativa e tretë e këtij institucioni që orvatet të lidhë një kontratë të re për këtë punë, ngase dy herët e para kishte dështuar kryesisht për shkak që kompanitë kanë pasur oferta shumë të larta, kundrejt çmimit të vendosur nga PK-ja.

Dje, më datë 26 janar, prokurimi i policisë e ka anuluar përsëri aktivitetin e prokurimit me arsyetimin se oferta e vetme e përgjegjshme e kompanisë “Eurosig”  ka pasur çmim shumë të lartë, saktësisht 1, 060, 180.09 euro. Me këtë kontratë, policia synon që të sigurojë 1294 automjete. Nga to të kategorisë  grupi tarifor I, cm3 “automjete për pasagjer” janë 1165 copa. /Lajmi.net/