Policia do të ofrojë siguri në zgjedhje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti të enjten në takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin, me të cilin bisedoi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend, të caktuara për t’u mbajtur me 8 qershor.

Lajme

15/05/2014 14:09

Presidentja dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, theks të veçantë vunë në çështjen e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe garantimin e votës së lirë.

Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend duhet të jenë të lira dhe të ndershme si dhe gjithëpërfshirëse dhe theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të plotë të të gjithë mekanizmave të sigurisë në Kosovë për të garantuar një proces të qetë dhe të mirë zgjedhor.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Policisë e njoftoi presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet që po i bën Policia e Kosovës për procesin e zgjedhjeve dhe bashkërendimin me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë dhe ato për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.