Policia demanton mediet serbe, thotë se nuk ka pasur asnjë konflikt me palën serbe në pikën kufitare në veri

Mediet serbe gjatë ditës së sotme raportuan se Policia e Kosovës kishte shkelu marrëveshjen mbi lëvizjen në zonën kufitare dhe kishte hyrë në territorin e Serbisë.

Lajme

20/02/2019 18:01

Gjatë ditës së sotme, mediet serbe raportuan se Policia e Kosovës ka shkelur marrëveshjen mbi lëvizjen në zonën kufitare dhe kishte hyrë në “mënyrë të paligjshme” në territorin e Serbisë Qendrore, me ç’rast kishte konfiskuar një kamion të mbushur me mallra.

Këtë e ka demantuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për lajmi.net, se ngjara ka ndodhur më 14 shkurt të këtij viti rreth orës 21:05.

Sipas Hoxhës, njësitet patrulluese kufitare, gjatë patrullimit të tyre në zonën kufitare veri, që lidh Republikën e Kosovës me Serbinë, kanë hasur dy kamionë të cilët përmes rrugëve ilegale dyshoheshin për kontrabandë me mallra.

“Njëri nga kamionët me mall i cili ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës është konfiskuar nga Policia e Kosovës se bashku me njësitin doganor dhe të njëjtin e kanë sjell në terminalin doganor, ndërsa lidhur me kamionin tjetër është njoftuar KFOR-i si palë bashkëpunuese dhe përgjegjëse për vijën e gjelbër në mes të RKS dhe Serbisë, të  cilët e kanë e kanë marr në kompetencë te mëtutjeshme kamionin në fjalë”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Tutje Hoxha ka thënë se nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale dhe as ndonjë konflikt mes Policisë së Kosovës dhe palës serbe.

“Vlen të potencohet se lidhur me këtë rast nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale e as ndonjë konflikt në mes të PK dhe palës serbe siç raportohet në media”, ka treguar Hoxha për lajmi.net.

Edhe zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, në një deklaratë për “Kossev”, ka thënë se KFOR-i është njoftuar për një kamion, por që nuk është përfshirë në këtë ngjarje.

“Sipas informacionit tonë, një kamion ishte në vijën kufitare administrative midis barrierave që ndanin Kosovën dhe Serbinë. Patrulla e KFOR-it kontaktoi policinë Kufitare të Kosovës, por nuk ishte e përfshirë në këtë ngjarje”, citohet të ketë thënë për Grasso.

Sipas medieve serbe, ngjarja ka ndodhur në Leposaviq. /Lajmi.net/