Policia arreston prerës ilegal të drunjve në Klinë
Të dyshuarit janë kapur të mërkurën gjatë një operacioni, ndërsa policia i kishte zënë në flagrancë me traktorë dhe automjete të tjera, duke transportuar masën drunore.

Lajme
Policia e Kosovës në rajonin e Klinës ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar pasi gjeti se kishin prerë ilegalisht drunj.
Të dyshuarit janë kapur të mërkurën gjatë një operacioni, ndërsa policia i kishte zënë në flagrancë me traktorë dhe automjete të tjera, duke transportuar masën drunore, raporton RFE.
“Në këtë aktivitet janë inicuar gjashtë procedura dhe janë arrestuar 6 persona të dyshuar për transportim ilegal të masës drunore ku edhe prokurorët kanë mbikëqyrë punën e policisë në inicimin këtyre procedurave”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale të Pejës.
Sipas këtij njoftimi, pylltarët që i janë përgjigjur ftesës së policisë, kanë matur masën drunore të konfiskuar, e cila del të jetë 12 metra kub dru.
Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit dhe me vendim të Prokurorit shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.