Policia arreston dy mashtrues të granteve pas denoncimit nga Ministria e Bujqësisë
Me 11 qershor të këtij viti Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptar nën dyshimin se të njëjtit, një fermeri i kanë marrë para kinse për t’i ndihmuar për përfitimin e një subvencioni nga Ministria e Bujqësisë.
Lajme
Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Kjo gjë është dhënë nga Policia e Kosovës në raportin e tyre 24 orësh, për datën 11 qershor 2015.
Por arrestimi i këtyre dy personave ka ndodhur falë një bashkëpunimi të Policisë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, shkruan Gazeta Express.
Burime shumë të sigurta kanë treguar informacione rreth asaj se si ka shkuar procesi deri të arrestimi i tyre.
Sipas këtij burimi, kishte qenë një fermer që kishte raportuar rastin në ministri se e dikush i kishte thënë se ‘nëse dëshiron të fitosh grant, ateherë ai mund t’ia sigurojë por në këmbim të një shume të parave.
Pas këtij raportimi, ministria e raporton rastin në polici dhe pas dy gati javësh hetimesh ai arrestohet bashkë edhe me një person tjetër.
Sipas burimit, pas hetimeve ka dalë se rasti kishte të bënte me mashtrim.
Në hetime ka dalë se mashtrimet janë kryer nga dy persona, meshkuj. Ata pretendonin se kishin fuqinë të kalonin projektet e granteve, por fjala ishte për një mashtrim, pasi fermerët mund të plotësonin vet kriteret dhe të shpalleshin fitues dhe në këtë situatë mashtruesit pretendonin se ata kanë ndikuar që kjo të ndodhë. Të dy personat e arrestuar kanë pranuar fajin për mashtrimin dhe del se nuk ata nuk kishin asnjë lidhje me Ministrinë.
Siç merret vesh të dy të arrestuarit janë nga Deçani.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se janë edhe disa raste duke u hetuar e që janë njoftuar nga Ministria e Bujqësisë.