Policia akuzon protestuesit për dhunë

Rashit Qalaj nga Polica e Kosovës deklaron se protestuesit ishin të dhunshëm dhe se ata ishin faktorët kryesorë që situata eskaloi përpara Rektoratit. Thotë se nuk do të lejohet që protesta të mbahet brenda në Rektorat.

Lajme

07/02/2014 16:52

Drejtori Operacional i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Rashit Qalaj, thotë se për eskalimin e protestës së sotme përpara Rektoratit të UP’së faj kanë protestuesit.

Në një intervistë në Info Maganize të Klan Kosovës, Qalaj tha se 39 qytetarë janë të lënduar, 32 policë po ashtu, prej të cilëve 4 janë në gjendje më të rëndë.

“Kemi një numër mjaft të madh të policisë dhe qytetarëve që janë lënduar dhe kemi një numër mjaft të madh që janë shoqëruar deri në stacionin policor”.

“Janë 39 qytetarë të lënduar, 32 policë të lënduar, katër prej tyre janë të lënduar më  rëndë, prej të cilëve dy policë kanë  lëndime në kokë, dhe dy  policë kanë lëndime në duar”.

“Ata janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente në QKUK”.

“Dhuna ka eskaluar kur protestuesit kanë tentuar të shpërthejnë kordonin e policisë”.

Rashit Qalaj thotë se sjellja e policëve sot ka qenë profesionale, e ndërkaq protestuesit kanë qenë të dhunshëm.

Ai deklaroi se policët e rendit kanë përdorur vetëm spray, ndërkaq kur këta janë goditur me mjete të forta, njësia speciale ka ndërhyrë duke përdorur edhe gaz lotsjellës.

“Policët sot kanë qenë shumë të matur dhe shumë profesionalë me sjelljet e tyre”.

“Protestuesit sot kanë qenë tej mase të dhunshëm ndaj policisë, të cilët ishin në mbrojtje të jetës së punonjësve të Rektoratit dhe mbrojtjen e pronës së Rektoratit”.

“Në momentin kur është parë që policëve të rendit po u rrezikohet jeta, njësia speciale ka përdorur gazin lotsjellës”.

Rashit Qelaj, më tutje, duke folur në Info Magazinë të Klan Kosovës, ka pohuar se Policia e Kosovës nuk do të lejojë që protestuesit të protestojnë brenda në Rektorat, pasi që vlerësojnë se jeta e stafit të Rektoratit është e rrezikuar.