Polici i RENEA-s bie në greminë në Theth

Një efektiv i RENEA-s, forcave elite të Policisë së Shtetit, ka rënë në greminë nga një lartësi e konsiderueshme në malin e Zorigjit, pranë Thethit, prej orës 08:00 të mëngjesit.

Lajme

09/12/2019 13:29

Efektivi Bledar Beluli ishte ngjitur për alpinizëm, por fatkeqësisht ka rënë në greminë duke pësuar dëmtime të mëdha thuajse në të gjithë trupin, në pjesën e legenit, brinjë, duar e këmbë.

Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë shkuar të parët pranë efektivit duke zbritur në greminë për t’i dhënë ndihmën e parë, e fatmirësisht është edhe një doktor i Urgjencës së Shkodrës së bashku me një punonjës të policisë. Pranë tij kanë ndezur edhe zjarr për t’i siguruar ngrohtësi.

Report Tv ka komunikuar me anë të një lidhje telefonike me njërin prej personave që ndodhet aktualisht pranë efektivit të RENEA-s. Pëllumb Guri thotë se efektivi Beluli ka rënë nga 200 metra lartësi dhe se gjendja e tij nuk është e mirë.

Banori thotë se duhet ndërhyrje nga ajri për ta nxjerrë që aty, pasi ndodhen 5 orë larg çdo rruge të mundshme. Ndër të tjera, punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth tregon se gjatë bisedave me efektivin e dëmtuar ka marrë vesh se ai kishte ngatërruar rrugën dhe kishte rrëshqitur në greminë në një moment kur ecte i vetëm në malet e Thethit. Drejt vendin të ngjarjes kanë shkuar forca të shumta të policisë. Ndërkohë që pritet edhe një ndërhyrje nga ajri/Shqiptarja.

YouTube player