Policët aksidentuar në Zveçan po trajtohen në QKUK, gjendja e tyre stabile
Pas vetaksidentit të mbrëmshëm, gjendja e zyrtarëve policorë të lënduar, pas ekzaminimeve të bëra, është stabile dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë. Dy nga policët e lënduar të premten nga aksidenti me automjetin zyrtar të blinduar në Zveçan po trajtohen në Kirurgjinë Torakale dhe atë të Klinikës së Ortopedisë me Traumatologji, në Qendrën Klinike…
Lajme
Pas vetaksidentit të mbrëmshëm, gjendja e zyrtarëve policorë të lënduar, pas ekzaminimeve të bëra, është stabile dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë.
Dy nga policët e lënduar të premten nga aksidenti me automjetin zyrtar të blinduar në Zveçan po trajtohen në Kirurgjinë Torakale dhe atë të Klinikës së Ortopedisë me Traumatologji, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa polici i tretë i lënduar po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, kështu ka konfirmuar Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.
Mjeku Specialist në Kirurgjinë Torakale, Frederik Çuperjani, tha se pacienti ka thyerje të shumëfishtë të brinjëve dhe ndrydhje të kraharorit, porse gjendja e tij aktualisht është stabile.
“Prej se janë raportuar tetë pacientët të cilët kanë pasur aksident me atë automjetin, pas ekzaminimeve të hollësishme, ne e kemi pranuar njërin, ka pësuar lëndime të rënda në kraharor në të dyja anët dhe në dorë lëndimi është i natyrës së ndrydhjes së kraharorit, thyerjes së brinjëve në të dyja anët si dhe lëndimit të dorës. Për fat kemi të bëjmë me një pjesëtar të ri 40 vjeçar, gjendje të mirë fizike, për momentin po duket që gjendja është stabile nuk kemi shenja për lëndime të cilat kërkojnë një intervenim kirurgjik, do të vazhdojmë sipas procedurave të traumës ndërkombëtare t’i përcjellim për aq kohë sa është e nevojshme për ta vlerësuargjendjen aktuale dhe pastaj shohim”, tha Frederik Çuperjani, specialist i kirurgjisë torakale.
Në klinikën e ortopedisë nuk është prononcuar askush nga stafi, por RTK ka mësuar se gjendja e policit tjetër është stabile.
“Gjendja e policit tjetër i cili është i hospitalizaur në Klinikën e Ortopedisë është stabile pas operimit.
RTK e ka vizituar pjestarin e policisë për t’u siguruar për gjendjen e tij gjatë këtyre orëve të pasdites në Klinikën e Ortopedisë.
RTK ka arritur të flas edhe me disa nga policët të cilët janë më lehtë të lënduar, të cilët ndodhen në shtëpi dhe në gjendje stabile shëndetësore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot tre policët që po trajtohen në QKUK, pas lëndimeve që morën në aksidentin mbrëmë në veri të vendit.