Polemika në mediet italiane, si u lirua shqiptari i kapur me 93 kg kokainë

Vendimi i gjyqtarit, që të lihet i lirë shqiptari M.A, i akuzuar për trafikim të lëndës narkotike të tipit kokainë, ka ngjallë polemika në mediet italiane.

Bota

07/02/2016 22:50

Në seancën e parë gjyqësore mungesa e një përkthyesi nga gjuha italiane në gjuhën shqipe, ka bërë të mundur skadimin kohor për të mbajtur të arrestuar shqiptarin M.A.

42 vjeçari, së bashku me shqiptarin tjetër, G.E, u arrestuan më 20 janar.

Dy shqiptarët u arrestuan në territorin italian, sapo kishin kaluar kufirin me Austrinë, pasi në makinën e tyre tip “Ford Kuga” u gjetën të fshehura 93 kg kokainë e pastër me vlerë 18 milionë euro.

Sipas njoftimit të mediave italiane, shqiptari M.A është lënë i lirë pas një ngërçi burokratik.

Tashmë ai ka lënë burgun e Bolazanos dhe mendohet se është larguar drejt Holandës, ku edhe jeton.

Shqiptari tjetër, G.E 36 vjeç, i cili e njihte gjuhën italiane vazhdon të jetë i arrestuar nën akuzën e trafikimit të kokainës.