Pogba: Liverpooli e meriton të jetë kampion

Paul Pogba ka thënë se skuadra e Liverpoolit e meriton pozitën në të cilën gjendet pasi po tregojnë një formë të jashtëzakonshme gjatë këtij sezoni.

Sport

25/02/2020 21:05

Të Kuqtë gjenden në pozitën e parë në Premierligën angleze, ku prijnë me 22 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Manchester City.

Sipas francezit djemtë e Jurgen Kloppit e meritojnë të jenë lider, edhe pse janë rivalët kryesorë të skuadrës për të cilën ai luan, Manchester United.

“Nuk duam që askush të fitojë më shumë se ne, por si një fans i futbollit duhet ta them se ata e meritojnë pozitën në të cilën gjenden”, u shpreh 26-vjeçari për ESPN, transmeton lajmi.net.

“Ata janë shumë larg ekipeve të tjera, ende nuk e kanë humbur asnjë ndeshje në ligë. Ata tashmë e kanë një dorë te titulli kampion”, shtoi tutje kampioni botëror me Francën.

Pogba është jashtë fushave që prej “Boxing Day”, periudhë në të cilën e mori lëndimin. Ai përmes rrjetit social, Instagram, tregoi se po përparon me fizikun e tij dhe shumë shpejt do të jetë gati. /Lajmi.net/