Pogba ‘dridh’ tifozët e Man Utd, shfaq shenjat e para të pakënaqësisë

Mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, ka filluar të tregojë shenjat e para të pakënaqësisë së tij.

Sport

22/04/2019 21:48

Para derbit lokal kundër Manchester City, lojtari ka treguar se sa i entuziazmuar është për ndeshjen, por ka dhënë edhe disa sinjale negative.

Fakti ‘djajtë e kuq’ po e mbyllin sezonin e dytë radhazi pa asnjë trofe, nuk i pëlqen aspak reprezentuesit të Francës.

Gjithashtu, lojtari ka thënë se është jetike për skuadrën që të sigurojnë një vend në garat e Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

“Nuk mund të themi se situata është sikur sezonin e kaluar, sepse atyre u duhet shumë fitorja, njësoj sikur na duhet edhe neve” ka thënë Pogba para duelit me Man City, transmeton lajmi.net.

“Të dy palët jemi në garë për diçka, ata për titullin dhe ne për një vend në Ligën e Kampionëve (vendin e tretë apo katërt)” ka thënë tutje francezi.

Tutje francezi e ka cilësuar derbin si diçka të bukur dhe intensiv, që përcillet qysh nga gjeneratat e reja në akademitë e skuadrave.

“Ky rivalitet ka qenë gjithmonë aty, edhe kur ishim në skuadrën e U-18 dhe do të luanim kundër City. Ky derbi do dashuri, adrenalinë dhe ti mbron ngjyrat e njërës skuadër të qytetit dhe dëshiron vetëm të mposhtësh rivalët” ishin fjalët e Pogba.

Krejt në fund, lojtari ka thënë edhe disa fjalë për formën e dobët të United dhe vështirësitë për triumfet.

“Sigurisht se do të ishte zhgënjim nëse nuk inkuadrohemi në top katërshe. Dy sezone radhazi pa trofe, nuk është aspak mirë” ka thënë ndër të tjerash francezi.

Ndeshja mes Manchester United dhe Manchester City do të luhet të mërkurën, në ‘Old Trafford’, ku edhe do të dihet pak a shumë për fatin e United në rrugën për top katërshe. /Lajmi.net/