Podujeva shembullore
Isa Mustafa promovoi kandidaturën e Agim Veliut në Podujevë. Tha se rinia e Llapit duhet të marrë shembull nga elita intelektuale llapjane në Prishtinë.
Lajme
Edhe në Podujevë, Isa Mustafa i ka qëndruar besnik motos së partisë për këto zgjedhje: “Sot Komuna, nesër Kosova”.
Kreu i LDK’së ka thënë se kjo parti synon që në zgjedhjet e 3 nëntorit të fitojë në komuna, në mënyrë që ta përgatisë fitoren në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Në sallën e mbushur me simpatizantë, Mustafa është shprehur i bindur se Agim Veliu do të rikonfirmohet si Kryetar i Komunës së Podujevës.
“Ne jemi një familje, jemi LDK, jemi partia më demokratike në të cilën njerëzit mund të mendojnë ndryshe, por në të cilën ne e kemi vetëm një votë, për LDK’në, për prosperitetin, për zhvillimin, është vota e Llapit e Gollakut”, ka thënë Mustafa në prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale në Komunën e Podujevës.
“Besoj në përcaktimin tonë, se vendimi ynë do të jetë që të votojmë për veten”.
“Ju të rinjtë e Llapit e keni shembullin e juaj në Prishtinë, keni elitën e juaj në Prishtinë, elitën intelektuale”.
“Mburremi me punën e Agim Veliut në Komunën e Podujevës dhe s’kemi pse të kërkojmë tjetër. Ai ka qenë ministër i mirë, deputet i mirë dhe të gjitha këto i ka lënë për të ardhur e për t’i shërbyer Podujevës. Ai e ka besimin tonë dhe do ta ketë edhe besimin tuaj”.
Ndërsa Agim Veliu ka thënë se besimi i llapjanëve në LDK u ka mundësuar atyre mirëqenie. Sipas tij, nën udhëheqjen e LDK’së janë asfaltuar 220 kilometra rrugë në Podujevë dhe shumë projekte tjera infrastrukturore.
“Votën e kërkojmë me program dhe projekte të reja”.
“Premtimet e pambajtura për investime milionëshe përsëriten edhe në këto zgjedhje. Ato ne në Podujevë nuk i pamë, e as ju besoj se nuk i shihni”.