Po u vije fundi honorarëve në UP

Universitetin e Prishtinës po e pret shkurtimi i një sërë shpenzimesh, jashtë pagave, të cilat prej vitesh kanë përfunduar nëpër xhepat e një pjese të stafit akademik, duke bërë që të ardhurat e tyre mujore të arrijnë në disa mijëra euro.

Lajme

05/01/2015 08:05

Ministria e Financave tashmë i ka drejtuar kërkesë UP-së për rishikimin e disa rregulloreve, përmes të cilave janë dhënë beneficione të ndryshme për një kategori të profesorëve, Këshillin Drejtues dhe vetë menaxhmentin e Universitetit, shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa zyrtarë të kësaj Ministrie nuk e kanë mohuar një gjë të tillë, por as nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës rreth më shumë detajeve në lidhje me këtë çështje, drejtues të UP-së e kanë konfirmuar një kërkesë të tillë të drejtuar në Universitet, nga ky dikaster qeveritar.

E njohës të çështjeve të arsimit kanë thënë se prej vitesh strukturat udhëheqëse të Universitetit kanë ndërtuar një sistem të sigurimit të përfitimeve për vete, duke gjetur forma shumë “kreative” për të marrë para të majme të buxhetit, pa bërë ndonjë punë produktive.

Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, në një deklaratë për KD e ka pranuar se Ministria e Financave ia ka drejtuar një kërkesë të tillë Universitetit.

“Me këtë kërkesë është i njoftuar edhe Këshilli Drejtues i UP-së. Por unë dua të veçoj se disa nga rregulloret mbi bazën e të cilave realizohen beneficione të ndryshme, si nga anëtarët e KD-së ashtu edhe nga menaxhmenti i UP-së, janë aprovuar nga përbërja e kaluar e Këshillit”, ka thënë Zejnullahu.