Po shkëlqejnë me klubet, Panucci rikthen në kombëtare dy mbrojtës!

Pak nga pak Christian Panuccit po i zbulohen ftesat e dërguara në drejtim të lojtarëve, të cilët do të grumbullohen për eliminatoret e Euro 2020, që nisin javën e tretë të këtij muaji. Pas dy refuzimeve të bujshme të dy sulmuesve, Fiorin Durmishaj dhe Mario Vrushaj, apo dhe heqjen dorë nga mbrojtësi argjentinas Tomas Guidara, Panucci ka vendosur të ftojë përsëri në kombëtare mbrojtësin Naser Aliji.

Sport

09/03/2019 15:42

25-vjeçari rikthehet në ekipin kombëtar pas një viti mungesë, pasi kaloi disa probleme familjare (ndarjen nga jeta të të atit), por edhe sepse nuk pati një ekip ku të aktivizohej. Prej vjeshtës së vitit të kaluar, Aliji është bërë pjesë e Dinamos së Bukureshtit, ekip me të cilin është duke luajtur titullar këtë vit, madje duke bërë ndeshje të mira.

Forma e mirë e mbrojtësit të krahut e ka bindur Christian Panuccin të grumbullojë 25-vjeçarin për dy ndeshjet e para eliminatore për Euro 2020, shkruan Telesport.

Lajmin se Aliji do të grumbullohet nga kombëtarja shqiptare, e kanë bërë të ditur mediat rumune pranë klubit të Dinamos, të cilat kanë konfirmuar se në drejtim të mbrojtësit shqiptar ka shkuar ftesa për grumbullim në ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Ivan Balliu është një tjetër rikthim në kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi, që aktivizohet me Metz në ligën e dytë në Francë, ka marrë ftesë nga trajneri Christian Panucci, për të qenë pjesë e ekipit kuqezi për eliminatoret e Euro 2020.

Këtë herë, kombëtarja nuk ka përsëritur gabimet e së shkuarës, pasi Ivan Balliut dhe klubit të tij i është dërguar brenda afateve të rregullave të FIFA-s ftesa për grumbullimin në kombëtare.

Kujtojmë se në vjeshtën e vitit të kaluar, Balliu nuk arriti të grumbullohet në ekipin Kuq e Zi, pasi i shkoi ftesa me vonesë. Mbrojtësi anësor i Metz është duke bërë një sezon të mirë me ekipin e tij, duke luajtur titullar në çdo ndeshje, teksa skuadra kryeson renditjen dhe mbetet pretendente kryesore për tu njitur në Ligue 1.