Po përgatisin marrëveshje me shkrim
Një marrëveshje me shkrim e cila do të përmbajë parimet kryesore qeverisëse pritet të nënshkruhet ditëve në vijim nga liderët e LDK-së, AAK-së dhe Nismas në njërën anë dhe ai i Vetëvendosjes në anën tjetër, me synimin që ajo të jetë bazë e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Lajme
Kjo marrëveshje vjen si një domosdoshmëri që blloku LDK, AAK dhe Nisma të sigurojë mbështetjen e Vetëvendosjes, shkruan Tribuna.
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, e ka parë si krejtësisht të mundshme arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Tashmë kemi një dakordim për përmbajtjen e tekstit. Janë duke u bërë ndryshime e plotësime të domosdoshme, por të cilat assesi nuk e prekin thelbin dhe përmbajtjen e saj”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, kjo do të jetë një marrëveshje e shkruar dhe e nënshkruar nga të gjitha palët.
“Në marrëveshje do të specifikohen edhe parimet e udhëheqjes së qeverisë së ardhshme dhe se nëse edhe këtë fazë e kalojmë, atëherë do të shkojmë në të tretën, për të diskutuar për fushat e tjera të jetës dhe qeverisjes”, ka theksuar Molliqaj.