“Po mundohen me i përça vëllezërit Geci”- nipi i tij u anëtarësua në “Guxo” tek Peci e Gërvalla, por ja si e komenton këtë Gani Geci

Dje dhe zyrtarisht kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Fatos Geci, djali i vëllait të Gani Gecit, i është bashkuar kësaj partie. Në njoftimin për anëtarësimi, Gërvalla, Fatos Gecin e quajti “pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike”. Madje ajo në detaje shkroi se Fatos Geci është djali i Halil Gecit,…

Lajme

16/05/2025 15:56

Dje dhe zyrtarisht kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Fatos Geci, djali i vëllait të Gani Gecit, i është bashkuar kësaj partie.

Në njoftimin për anëtarësimi, Gërvalla, Fatos Gecin e quajti “pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike”.

Madje ajo në detaje shkroi se Fatos Geci është djali i Halil Gecit, apo vëllait të madh të Gani Gecit.

“Sot, në Partinë Guxo mirëpritëm Fatos Gecin, ekonomistin nga Drenica. Ai po bashkohet me familjen tonë politike, duke pasur guximin, idealizmin, patriotizmin dhe formimin institucionalist që e ka në asht, si pinjoll i denjë i familjes tradicionale e fisnike të Bajraktarit të Llaushës, djali i vëllait të madh nga Shtatë Vëllezërit Geci. Fatos (Halil) Geci është në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e ekonomisë në UP “Hasan Prishtina” si dhe përfitues i tri bursave ndërkombëtare të studimeve doktorale në Cote d’Azur University në Francë. Ai ka disa vjet përvojë profesionale në sektorin e financave, duke u angazhuar në çështje që lidhen me analizën ekonomike, menaxhimin financiar dhe politikat zhvillimore” – ka shkruar Gërvalla.

E bashkimi i Fatos Gecit në “Listën Guxo” natyrisht se është i çuditshëm- duke pasur parasysh qëndrimet e ashpra e të vendosura që axha i tij, Gani Geci ka ndaj këtij subjekti politik, sidomos gjatë javëve të fundit.

E ky kalim i nipit të tij në Guxo vie pak ditë pasi ai publikisht deklaroi se po mundohen t’i përçajnë Gect, por se s’do t’ia arrijnë.

Gani Geci në një prononcim të shkurtër për lajmi.net për aderimin e nipit, Fatosit në partinë Guxo tha se nuk ka pse e komenton, pasi është bindje personale politike.

Ndryshe nga shumë komentime të tjera që Gani Geci nuk heziton t’i bëj, kësaj radhe e pa të udhës të mos flasë gjatë.

“Nuk merrem me këtë çështje është çështje personale ajo për secilin individ. Çka me komentu për çështje personale individuale – nuk ka rëndësi është çështje personale dhe bindje politike e secilit individ”, tha Geci për lajmi.net.

Ditë më parë babai i deputetes së LDK-së, Marigona Gecit, Gani Geci doli para Kuvendit të Kosovës nga ku fliste për Faton Pecin. Ai doli aty pikërisht pasi deputeti Faton Peci derisa po hynte në seancë kishte deklaruar se Geci i ka dërguar mesazh dikujt nga koalicioni LVV-GUXO ku ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

Këtë Peci e kishte thënë si kundërpërgjigje ndaj mesazheve që Gani Geci ka publikuar e që tregoi se është telefonuar nga Glauk Konjufca për votën e Marigona Gecit.

“Faton Luci, Faton Peci me falni se u habita, e kish bo një intervistë, e kish thanë që Gani Geci na ka dërgu një sms”, ka thënë Geci para Kuvendit, duke treguar se njëherë i kishte dërguar mesazh Pecit por për t’i treguar pronat e uzurpuara në Drenicë. Unë s’jam ai që i çoj dikujt mesazh për bashkëpunim. Kam mëndu që GUXO është me LDK-në, por ata qenkan japanxhë e LVV-së e marksistë leninistëve”, ka thënë Geci.

“Po mundohen me i përça vëllezërit Geci, por kjo është e pamundur”,deklaronte Gani Geci.

Kalimi i nipit të tij në Listën Guxo u komentua publikisht edhe nga vetë babai i tij, vëllai i Gani Gecit- Halili.

“Sot, guximtarëve rugovistë – të përzënë dhe të dhunuar nga LDK-ja – parti e ndërtuar me mund dhe sakrificë nga Presidentja Vjosa Osmani dhe ekipi i saj me kryetaren e listës GUXO, atdhetaren e shquar Donika Gërvalla, ju bashkua edhe djali im i dashur dhe i respektuar, Dr. Fatos Geci.”,shkroi Halil Geci.

Duhet përkujtuar se qëndrimet e LDK-së së tanishme dallojnë shumë nga qëndrimet e mëhershme, njësoj edhe njerëzit që ishin pjesë e kësaj partie. Shumë nga ta vazhdojnë të jenë në LDK- e disa të tjerë kaluan në parti të tjera politike, ndryshme të shumta si në të gjitha subjektet politike në vend./Lajmi.net/