Po i shkelni rregullat

Ombudspersoni i Kosovës konstaton dhe denoncon shkeljet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore. Përdorimi i fëmijëve në fushatë, tubimet në mjediset shkollore dhe situata në Veri, po e shqetësojnë Avokatin e Popullit.

Lajme

25/10/2013 11:19

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka vërejtur se partitë politike nuk janë duke iu përmbajtur rregullave zgjedhore të përcaktuara nga KQZ gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Në një deklaratë të lëshuar sot, Ombudspersoni i Kosovës thotë se është duke përcjellë me vëmendje të madhe fushatën e subjekteve politike për këto zgjedhje.

“Edhe kësaj here, si edhe gjatë fushatave në zgjedhjet paraprake të nivelit qendror e lokal, subjektet politike kanë zhvilluar tubimet e aktivitetet e tyre në hapësira që nuk janë të dedikuara për këto qëllime, ashtu siç është përcaktuar shprehimisht në Rregullën zgjedhore 13/2013 mbi fushatën e zgjedhjeve dhe njoftimin për ngjarjet politike”, thuhet në deklaratë.

“Shfrytëzimi i ambienteve shkollore për tubimet elektorale të subjekteve politike, duke penguar procesin mësimor, e për më tepër duke shfrytëzuar fëmijët për aktivitetet promovuese elektorale, e bën jashtëzakonisht shqetësues këtë fakt.”

“Manipulimi i fëmijëve, të cilët janë kryesisht mbi moshën 10 vjeç, për interesat e subjekteve politike, është alarmues dhe shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të fëmijëve. Nga informatat në terren raportohet se profesorët dhe drejtorët e shkollave të mesme ushtrojnë ndikim në përfshirjen e nxënësve në fushatën zgjedhore”.

Gjithashtu, Ombudspersoni konsideron se ambienti polarizues pro dhe kundër zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, i pasuar me kërcënime, sulme fizike e verbale si dhe akte të tjera dhune, paraqet gjithashtu shqetësim jashtëzakonisht të madh dhe tensionim të papranueshëm të situatës e kërcënim për zgjedhje të lira.

“Këto veprime dhe gjendja e përgjithshme atje cenojnë garantimin e votës së lirë dhe krijojnë pasiguri për votuesit dhe për personat e përfshirë për mbarëvajtjen e procesit”.

“Për Avokatin e Popullit janë të papranueshme dhe të dënueshme të gjitha aktet e dhunshme në cilëndo pjesë të Kosovës, ashtu siç është e papranueshme gjuha e përdorur, shpeshherë nxitëse e urrejtjes dhe fyese e denigruese”.

IAP u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të tregojnë pjekuri politike, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të zgjedhur, e duke respektuar të drejtën e tjetrit për të votuar.

“Gjithashtu, IAP u bën thirrje gjithë institucioneve përkatëse dhe të përfshira në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që në respektim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, të garantojnë dhe sigurojnë të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, që me datë 3 nëntor 2013, të ushtrojnë lirshëm e të sigurt, të drejtën e tyre të votës”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit të Kosovës.