Po digjet kandidatura për Thaçin kryeministër

Hashim Thaçi, i mandatuari i PDK-së për kreun e qeverisë, mund të djegë kandidaturën e tij për kryeministër, nëse do të jetë i pari që do të provojë formimin e qeverisë së re të Kosovës. 

Lajme

23/06/2014 10:27

Edhe nëse kushtetuta ia lejon PDK-së që në të dy rastet ajo ta ketë mandatarin për kryeministër, nëse Thaçi herën e parë nuk mund të marrë votën e Kuvendit për kabinetin e tij, PDK-së herën e dytë do t’i duhet që si mandatar propozojë një emër tjetër.

Sipas interpretimeve kushtetuese në PDK, Hashim Thaçit do t’i jepet së pari mundësia e formimit të qeverisë në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, ku PDK ka dalë si fituese.

Mirëpo, mungesa e gatishmërisë së partive politike për t’u përfshirë në qeverinë “Thaçi 3”, çka logjikisht do të sillte dështimin e krijimit të koalicionit, do t’i pamundësonte Thaçit që të merrte kandidaturën e mandatarit edhe në tentativën e dytë.

Kushtetuta e Kosovës i parasheh dy mundësi, nëse nuk arrin kandidati i parë të formoj qeverinë, mundësia i jepet të dytit, por me një mandatar tjetër.

Në këtë pikë, ka mbetur dilemë nëse kandidatura do t’i jepet sërish PDK-së apo opozitës në bazë të marrëveshjes LDK, AAK dhe Nisma, ngase ka mbetur të pritet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.

Por, duke mos hyrë në çështjet kushtetuese, burime të gazetës “Tribuna” të cilat iu referohen edhe bisedimeve të fundit të partive politike me përfaqësuesit ndërkombëtarë bëjnë me dije se ndërkombëtarët do të aktivizohen në ofrimin e lehtësimit të negociatave për formimin e qeverisë së re të Kosovës, nëse Kuvendi nuk arrin që të votojë qeverinë në tentativën e parë.

Interesimi ndërkombëtar, sipas këtyre burimeve, është që Kosova të formojë qeverinë dhe të mos shkojë sërish në zgjedhje. Kurse një nga parakushtet që qeveria të ketë mbështetjen ndërkombëtare është vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve tashmë të arritura.

Duke pasur parasysh që LDK, AAK dhe Nisma së bashku kanë 47 deputetë, as ky koalicion nuk po i premton një qeveri funksionale, madje edhe nëse pjesë e saj llogariten shumica e deputetëve nga radhët e pakicave. (Tribuna)