Po çojnë pare
Në vitin 2012, diaspora ka dërguar 457 milionë euro në Kosovë. Edhe pse numri familjeve që pranuan remitenca ishte më i vogël, në vitin 2012 ato ishin 23.2% më të mëdha se në vitin 2011.

Lajme
Paratë e mërgimtarëve vazhdojnë të mbesin shtyllë e rëndësishme e ekonomisë kosovare dhe po përmirësojnë bilancin tregtar në vend.
Remitancat e dërguara në vitin 2012 shënuan rritje vjetore prej 23.1% në krahasim me vitin 2011, thuhet në një studim të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Shifra totale e remitencave të dërguara e llogaritur ka qenë 457 milionë euro, që përbën 9.3% e Bruto Produktit Vendor të Kosovës. Në vitin 2012, gjithsej 22.4% të familjeve kosovare pranuan remitenca nga familjarët e tyre në diasporë ndërsa 43% kanë deklaruar se kanë anëtarë të tyre jashtë vendit”.
Kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ka thënë se në vitin 2012 ka pasur më pak familje që kanë pranuar remitenca se në vitin 2011. Ai ka shpalosur 3 arsyet e dërgimit dhe shpërndarjes së këtyre remitencave.
“Shpërndarja e remitencave sipas arsyes së dërgimit e shprehur në përqindje është si vijon: 86% e remitencave janë dërguar për mbështetje familjare, 9.8% për pagesa të shërbimeve të kujdesit mjekësor për familjarë dhe 2.5% për pagesat e shkollimit të familjeve ose të të afërmve të tyre në Kosovë”.
“Përqindja e familjeve që kanë pranuar remitenca në vitin 2012 u zvogëlua në krahasim me vitin 2011 për 2.6% por shuma mesatare e të mirave materiale që familjet pranuan ishte shumë më e lartë duke bërë që edhe totali i remitencave të dërguara në Kosovë të jetë 23.2% më i lartë”.
“Familjet pranuese të remitencave kanë kryefamiljarë më të moshuar dhe më pak të arsimuar se familjet jo pranuese, ndërkohë, që kryefamiljarë dhe anëtarë të rritur të familjeve të tyre kanë nivel më të ulët të punësimit dhe pjesëmarrjes në tregun e punës se ata të familjeve jo pranuese”.
Emine Deliu, shefe e sektorit të Standardit Jetësor duke e prezantuar rezultatet mbi intervistimin e 8 mijë ekonomive familjare, tregoi se ky studim është vazhdimësi e dy viteve të mëparshme.
“Ky studim është vazhdimësi e studimeve të mëhershme të UNDP’së, të viteve 2010, 2011 dhe 2012, një gjë shumë e mirë për krahasueshmërinë e të dhënave të remitencave”.
Grumbullimi i të dhënave nga ekonomitë familjare është bërë gjatë muajit dhjetor 2012 dhe janar 2013. Periudha më e favorshme ku shumica e dërguesve të remitencave e vizitojnë Kosovën për t’u takuar me familjet e tyre
Gani Gërguri nga Banka Qendrore e Kosovës ka cilësuar remitencat si një kategori shumë të rëndësishme për shoqërinë kosovare dhe për ekonominë e vendit.
“Remitencat përmirësojnë bilancin tregtar të Kosovës, i cili siç e dimë, është mjaft jo i mirë në krahasim me vendet e tjera dhe në krahasim me nevojat e vendit tonë”.
“Shuma e tyre mbërrin diku 605 milionë në fund të vitit 2012, ndërsa sipas analizave dhe statistikave Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ky trend pozitiv vazhdon edhe në vitin 2013.
Andrew Russell, Përfaqësues Rezident i UNDP’së, që ka mbështetur këtë studim, ka ndarë një përvojë familjare në këtë rast. Russell ka thënë se është i lidhur me rrëfimin e remitencave për shkak se edhe vet ai e ka përjetuar një gjë të tillë sa ishte i ri .
“Të gjithë e dimë se migrimi nuk është një dukuri e re. Duke e pasur parasysh rritjen e migrimit në botë, personalisht jam i lidhur me këtë rrëfim sepse edhe unë jam djalë i një emigranti në Kanada dhe jam rritur në kushte tjera kur babai im është rritur në varfëri dhe i ka ndihmuar nënës së tij përmes remitencave që t’ia përmirësojë jetën të mos jetojë në varfëri”.
“Remitencat janë burimi i dytë më i madh në Kosovë. Në qoftë se remitencat nuk mund të krijojnë mjaft vende të punës atëherë do të ketë emigrantë dhe siç e dimë shumë kosovarë ende jetojnë në varfëri dhe duhet të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar që çdo kosovar të përfitoj nga rezultatet e zhvillimit”.
Qëllimi i ofrimit të këtyre të dhënave statistikore mbi rrjedhën dhe shfrytëzimin e remitencave është matja e efektit të tyre në mirëqenien e familjeve pranuese dhe në ekonominë e Kosovës në tërësi.