‘Play Off’: Milwaukee fiton ndaj Boston, Grizzlies befasojnë Golden State

Sport

12/05/2022 08:12

Faza ‘Play Off’ e NBA po vazhdon me gjysmëfinalet e konferencave. Milwaukee Bucks dhe Memphis Grizzlies kanë marrë fitoret e radhës.

Skuadra e Milwaukee Bucks ka marrë një fitore të rëndësishme përballë Boston Celtics, me rezultatin 110:107, shkruan lajmi.net.

Giannis Antetokounmpo shkëlqeu me plot 40 pikë të shënuara, duke shtuar edhe 11 kërcime e tri asistime.

‘Bisha greke’ ishte arsyeja kryesore e fitores së Milwaukee. Te Celtics u dallua Tatum me 34 pikë dhe Brown me 26, por këto s’i mjaftuan skuadrës së tyre.

Rezultat befasues ka pasur në ndeshjen Golden State Warriors – Memphis Grizzlies, ku skuadra e Steve Kerr u mposht me rezultatin 95:134, shkruan lajmi.net.

Tre lojtarë të Memphis (Jackson Jr, Jones e Bane) shënuan nga 21 pikë, kurse pikë dyshifrore arritën shtatë lojtarë.

Curry me shokë nuk ishin në element. Më së shumti pikë te GSW shënoi Klay Thompson (19).

Milwaukee tashmë prin serinë ndaj Celtics me 3:2 dhe është një fitore larg finales së konferencës, derisa Memphis ngushton në 2:3 ndaj GSW. Skuadra më e mirë nga shtatë ndeshje kualifikohet tutje. /Lajmi.net/