Platini pranoi se edhe Botërori 1998 ishte një ‘mashtrim’

Lajmi i fundit që ka tronditur botën e futbollit është arrestimi i ish-presidentit të UEFA-s, Michel Platini, i cili po akuzohet për korrupsion.

Sport

18/06/2019 10:54

Michel Platini është arrestuar si pjesë e një hetimi mbi korrupsionin e pretenduar në procesin e ofertimit të Kupës Botërore në Katar

Francezi u pezullua nga të gjitha aktivitetet në futboll në vitin 2016 pas marrjes dhe pranimit të një pagese nga Sepp Blatter, ish-president i FIFA-s që po ashtu akuzohet për korrupsion, raporton lajmi.net.

Vitin e kaluar, vetë Platini kishte pranuar se Botërori i vitit 1998, i cili u fitua nga Franca, ishte një ‘mashtrim’.

“Kur organizuam kalendarin, ne bëmë një mashtrim të vogël. Nëse ne përfundonim në grup të parët dhe Brazili gjithashtu, atëherë ne nuk mund të ndesheshim deri në finale”, tha ai.

“Ne nuk u mërzitëm duke organizuar Kupën e Botës për gjashtë vite, kështu që bëmë disa manovra”.

“Ju mendoni se dikush nuk u pajtua po finalja Franca – Brazil, ishte ëndrra e të gjithëve”, kishte zbuluar Platini.

Kujtojmë se në finalen e famshme triumfuan ‘Gjelat’ me rezultat 3-0, pasi ylli i asaj kohe Ronaldo Fenomeni nuk luajti për shkak që u sëmurë vetëm pak orë para ndeshjes. /Lajmi.net/